24 orë pas grabitjes spektakolare në Rinas, policia e Shtetit ka dalë zyrtarisht para mediave. Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, tha se janë grabitur më pak se 1 milion euro nga tre personat e maskuar dhe të armatosur, një ditë më parë.
“Ne jemi lajmëruam 10 minuta pasi kishte hyrë makina në pistë dhe 5 minuta pasi ishin larguar grabitësit nga vendi i ngjarjes”, shprehet drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.
Teksa sqaroi me detaje ngjarjen, ai deklaroi se autorët të maskuar me paruke dhe maska kanë arritur të grabisin një shumë valute më pak se 1 milion euro, duke mos e saktësuar shifrën e saktë. Drejtori i policisë deklaroi se autorët ishin të pajisur me armë automatike, por nuk kanë qëlluar.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 30 qershor në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, bëj me dije se në orën 14:23, sipas orës së kamerave të sigurisë në aeroport, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha foskoroshente kapërcen portën e ndodhur në skajin veriperëndimor të pistës, e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionin. Ky person ka prerë drynin e derës dhe pasi ka hapur atë, në territorin e pistës futet një automjet tip “Mercedez Benz” me ngjyrë vishnje. Autorët janë futur me makinë në vendqëndrimin e automjeteve dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinat e blinduara në shoqërisë “Nazeri 2000”. Në 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë prej nga hyri. Pasi kanë dalë nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas-Fushë Krujë-Vorë”, sqaron Hodaj.
Ndërsa për sa i përket sigurisë në aeroport, drejtori i policisë tha: “Siguria e perimetrit të jashtëm, porta hyrëse, ambientet hyrëse të terminalit dhe kamerave e bën shoqëria koncesionare me kompanitë private të sigurisë. Policia e ka të ndaluar të patrullojë në aeroport. Në ligjin për Policinë e Shtetit, policia mban përgjegjësi për pikën e kalimit kufitar ajror, kabinën e kontrollit, tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit. Perimetri i jashtëm i aeroportit, portat hyrëse, vendpushimet e avionit dhe salla e kamerave janë përgjegjësi e kompanisë ICTS kontraktuar nga TIA”.
Sipas tij, policia e shtetit me shkresë në vitin 2014 i ka komunikuar TIA-s lidhur me mangësitë e konstatuar në drejtim të parametrave të sigurisë, pasi nuk mbulonin të gjitha pikat nevralgjike të aeroportit.
“Na u kthye përgjigje, se shqetësimet me kamerat nuk janë kompetencë e policisë së shtetit. Po në 25.4.2014, komisariati Rinas iu drejtua AAC për zgjidhjen e problematikave për sigurinë në aeroport, nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha me tej Hodaj.