Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë pasur të njëjtin qëndrim për grabitja spektakolare në Rinas. Si PD, ashtu edhe LSI, kanë kërkuar nga Presidenti Nishani që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë ngjarje, pasi sipas tyre është cenuar cënuar rëndë siguria kombëtare e vendit
Në emër të PD-së foli nënkryetari i kësaj partie, Edi Paloka.
Paloka tha se gjendja është katastrofike dhe se kjo situatë ndodh në kohën kur alarmi për terrorizmin është në kulmin e vet, ndërkohë që gjithë shtetet kanë marrë masa mbrojtëse, e në kontrast të plotë, në vendin tonë ka rënë çdo standard i sigurisë”.
“Ndaj, Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të kryejë një hetim të shpejtë e të plotë, pasi është cënuar rëndë siguria kombëtare e vendit, si dhe i kërkon Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e të bëhet çdo analizë e të dalë çdo përgjegjësi për këtë krim të rëndë, që e ka nxjerrë vendin tonë të rrezikuar e të pasigurt, pikërisht në kohën e kërcënimeve të mëdha të terrorizmit”, u shpreh Paloka.
Ndërsa në emër të LSI, Luan Rama e ka cilësuar vjedhjen në pistën e aeroportit të Rinasit një “papërgjegjshmëri për sigurinë kombëtare”.
“Ministria e Brendshme deklaroi masa shtesë të sigurisë, ndërsa banditët vjedhin një ditë më pas në pistën e Rinasit”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, SHISH dhe Prokuroria duhet të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes.
“Kryeministri të marrë masa për të gjitha institucionet përgjegjëse. Të mblidhet komisioni parlamentar i sigurisë kombëtare. Presidenti të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ngjarja është shumë e rëndë dhe duhet të nxirren përgjegjësitë”, ka shtuar Rama.