Pas deklaratës së djeshme se Sali Berisha ka urdhëruar atentat ndaj Agim Shehut, DITA i ka drejtuar dy pyetje Izet Haxhisë.
Ja përgjigjet e tij:
-Izet, ke pohuar se ndaj njeriut të afërt me të cilin e bashkojnë shumë çështje të errëta, ish zv.ministri i Brendshëm Agim Shehu, ish-presidenti Berisha ka urdhëruar një atentat. Në çfarë rrethanat ka ndodhur kjo sipas teje?
Po mesa më kujtohet, sepse ky rast është mbajtur i fshehtë, ka qenë viti ‘97 nga fundi, ndërkohë që arsyeja kuptohet. Agim Shehu ka qenë dora e zgjatur e krimit të Berishës në shumë ngjarje dhe Berisha duke ditur karakterin e të kaluarën e Shehut, si një person që punon me të gjithë ata që vijnë në pushtet, ka pasur frikë se mos ai përdorej në zbulimin e krimeve të tij si zbatues i tyre. Dhe marshalli e ka një huq: Që nuk i pëlqen të lerë në qarkullim njerëz që dinë për bëmat e tij kriminale.
-Ti flet për një grup, një skuadër apo organizatë që kryente vrasje për hesap të politikës. Ç’ka ndodhur me të nëse di diçka?
Disa janë vrarë, disa kanë ikur jashtë shtetit dhe disa prej tyre vazhdojnë veprimtarinë si vrasës profesionistë me pagesë. Nuk mund të them me saktësi nëse ata që kanë ngelur përdoren nga marshalli për vrasje. Por marshalli nuk vuan për killera në shërbim të tij, sepse një skuadër vrasësish mjaft sekrete ka qenë në varësi e përdorim nga SHIK-u i Gazidedes. Në këtë skuadër ka pasë kryesisht njerëz nga Mirdita, pjesa e të persekutuarve të zgjedhur nga Xhahit Xhaferi. Ekzistencën e kësaj skuadre unë e kam mësuar në ‘97 në kohë të trazirave, ndërsa atë të grupit antikrim që në 1994-n, kohë kur është krijuar. Kjo sepse në periudhën gjashtë mujore të parë, komandant i këtij grupimi ka qenë vëllai im. Por ka dhënë dorëheqjen sepse i është kërkuar të kryejnë vrasje që binin ndesh me qëllimin e krijimit të këtij reparti, nën petkun e antidrogës, për të luftuar e ekzekutuar kriminelët që gjykata nuk mund t’i dënonte./ DITA