Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, la të habitur shumëkënd kur vendosi dje të tërhiqte dorëheqjen e tij. Sipas tij, ai rezulton i padënuar nga drejtësia italiane.
Por gazeta “Shqiptarja.com” rrëzon pretendimin e Rroshit që është dënuar për përdhunim dhe rrahje në bashkëpunim në Itali, por ka përfituar nga mos citimi i dënimit, parashikuar në legjislacionin italian.
Dy dëshmitë e publikuara nga mediat dhe vetë kryebashkiaku, janë dokumente të vërteta dhe zyrtare, por me një ndryshim të rëndësishëm, i cili ka krijuar moskuptim dhe mjegull.
Dëshmia e pastër e penalitetit, e paraqitur nga Elvis Rroshi, “Certifikatë Penale e Arkivit Gjyqësor”, është një dokument, i cili merret nga çdo subjekt dhe qytetar i zakonshëm, në përputhje me Nenin 25 të Dekretit Presidencial Nr 313, të vitit 2002, shkruan shqiptarja.com.
Po pse Rroshi figuron i pastës në Certifikatën Penale të Arkivit Gjyqësor dhe rezulton i dënuar në Certifikatën e Arkivit Gjyqësor?
Sepse neni 25 parashikon mos citimin e dënimit nëse subjekti është dënuar për herë të parë dhe më pak se sa dy vjet burg.