Quantcast
Channel: Aktualitet – Tirana Observer
Viewing all 4640 articles
Browse latest View live

Shkëlzen Berisha: Pse Balla nuk është i interesuar për të vërtetën e CEZ

$
0
0

Shkëlzen Berisha e ka cilësuar një skenar politik gjithçka ndodhi në Komisionin Hetimor për ÇEZ.

Pasi u largua nga Kryesia e Kuvendit, ai tha se Balla nuk është i interesuar për të vërtetën dhe se ai nuk betohet para një personi të dënuar për shpifje ndaj tij dhe që refuzon të zbatojë vendimin e formës së prerë të gjykatës.

Berisha: Pavarësisht se ky është një Komision politik që synon vjedhjen e  Edi Ramës të 432 milionë eurove, këtë nuk e them unë e thotë KLSH, unë përsëri erdha në respekt të ligjit. Personi që e drejton këtë Komision, siç ju e dini shumë mirë është një i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Tiranës për shpifje ndaj personit tim. Jo vetëm është dënuar por refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës. Tani më thoni, nga të gjithë këta deputetë që ka parlamenti, pse ky Komision duhet të drejtohet nga ai që është në konflikt të hapur interesi dhe është dënuar për shpifje ndaj meje. Unë nuk pranoj të bëj një betim para një njeriu të dënuar për shpifje. Zotëria mund të çohej dhe t’ia lironte vendin një nga kolegëve të tij, nuk deshi sepse nuk është i interesuar për të vërtetën por për interesin politik.

E njihni zotin Nuel Kalaj?

Berisha: Kam bërë disa deklarata publike që ezaurojnë përtej çdo dyshimi faktin që unë as me zotin Kalaj as me zotin Ismaili nuk kam asnjë lidhje, as me aktivitetet e tyre dhe as punën e Komisionit. Nëse zotin Kalaj nuk e thërrasin se nuk e gjejnë dot, po zotin Ismailaj pse nuk e thërrasin në Komision, nuk e gjejnë dot se ku është? Kjo është e ezauruar.

Zoti Berisha, kishte disa emaile ku përmendej emri juaj

Berisha: Nuk e di çfarë provash ka administruar ky Komision, asnjë prej jush nuk ka parë nëse këto prova kanë qenë të çertifikuara me origjinalin, kanë ardhur ta apostiluara, janë apo nuk janë prova reale nuk mund ta them dot. Unë kam bërë deklaratën publike, kam theksuar qartë se nuk kam asnjë lidhje as me personin dhe as aktivitetet e tyre dhe asgjë tjetër. Për fat të mirë kjo punë ka dëshmitarë, mund të pyeten të gjithë dhe mund të flasin.


Ambasada iu refuzoi vizat/ Llalla letër për Nishanin dhe Metën: Ja si më shantazhon ambasadori Lu

$
0
0

Kryeprokurori Adriatik Llalla i ka dërguar një ditë më parë një letër Presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta ku i shpreh shqetësimin se po shantazhohet nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu.

LETRA

Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikës gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anulluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anulluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti.

Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu.

Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij.  Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.

Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.

Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.

Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.  Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre.  Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.

Të nderuar zotërinj,

Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të  Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.

Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithëshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.

Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj.

Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional.

Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media.

Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithëshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).  Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014,  Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin.

Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane.

Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.

Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.

Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë.

Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.

Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.

Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politikë në Shqipëri.

Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.

Të nderuar zotërinj,

Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës.

Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.

Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë.

Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike Shqiptare.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, larg çdo presioni e shantazhi që synon deformimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.

Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,

PROKURORI i PËRGJITHSHËM

ADRIATIK LLALLA

Fotoja me shqiponjën, flet një nga rekrutët shqiptarë: Ja si është e vërteta

$
0
0

Një nga 7 rekrutët me origjinë shqiptare, të cilët dolën në një foto duke bërë me duar shqiponjën brenda në repart, ka folur për mediat greke.

Ai është 23 vjeç, i lindur në Shqipëri dhe ka emigruar në Greqi që në moshë të vogë, bashkë me familjen. Tani jeton në Kypseli…

I riu ka folur për televizionin grek “Star”, me zë të ndryshuar, ndërsa ka theksuar se fotoja është bërë për qejf.

23-vjeçari ka thënë se ai dhe të tjerët që janë në foto, nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë grupi nacionalistësh shqiptarë. Gjithashtu ai ka thënë se asnjë, as nga Greqia dhe as nga Shqipëria nuk iu kishte këkruar të bënin atë foto.

Mediat greke njoftuan ditë më parë se Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë greke i kërkoi Ministrit grek të Mbrojtjes firmosjen e dënimit me 60 ditë burg për shtatë rekrutët me origjinë shqiptare./ tvklan.al

Akuzat me Llallën, Donald Lu, takim në Kryeministri me Ramën

$
0
0

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka zhvilluar një takim në Kryeministri pas akuzave dhe kundërakuzave me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Nuk ka njoftim zyrtar se me kë është takuar ambasadori, duke qenë se kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë.

Ambasadori amerikan akuzoi kryeprokurorin Llalla për shkeljen e Kushtetutës në përzgjedhjen në emër të organit të akuzës të 3 kandidatëve për 3 poste si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Llalla u akuzua se për më shumë se 18 muaj ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi.

Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme i bëri të qartë zotit Lu se, “nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë”.

“Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza”, tha Fjorida Ballauri, derjtoresha e kabinetit e Pokrurorit të Përgjithshëm.

Ambasada e SHBA, pezullim vizash për 70 gjyqtarë e prokurorë

$
0
0

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka revokuar vizat e shumë gjyqtarëve e prokurorëve.

Pak ditë nga vendimi i ambasadës amerikane për pezullimin e vizave të funksionarëve të drejtësisë ReportTv e Shqiptarja.com mësojnë se janë 70 zyrtarë të cilët janë prekur nga ky vendim dhe nuk lejohen të shkelin në territorin amerikan deri në një vendim të dytë.

Këtë të enjte i pari zyrtarë që pranoi se ambasada i ka revokuar vizën ishte Kryeprokurori Adriatik Llalla ndërsa po ashtu u sqarua se viza i është refuzuar dhe shefes së sektorit të dekriminalizimit, prokurores Rovena Gashi.

Por kjo listë ka prekur të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, si dhe drejtuesit e prokurorive në rrethe.

Kjo listë me 70 zyrtarë nuk është bërë publike nga ambasada ndërsa sipas burimeve për ReportTv e shqiptarja.com thanë se ajo prek dhe një pjesë të mirë të familjarëve të tyre pasi gjatë pajisjes me vizë zyrtarët kanë aplikuar në çift si bashkëshort.

Nishani rreshtohet me Llallën, refuzon takimin me ambasadorin e SHBA

$
0
0

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka refuzuar sot një takim me ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu.

Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga burime zyrtare shumë pranë kreut të shtetit, të cilat pohojnë se “për Presidentin e Republikës, Bujar Nishani akuzat e adresuara sot ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla janë shumë të rënda dhe për to kërkohet një sqarim në rrugë institucionale dhe zyrtare.

Në adresë të Presidentit të Republikës, më herët nuk ka mbërritur asnjë shqetësim nga partnerët strategjikë të Shqipërisë sa i përket rolit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla ndaj dhe Bujar Nishani, në cilësinë e kreut të shtetit ka kërkuar kohë të nevojshme për t’u njohur më në detaje lidhur me pretendimet e ngritura sot publikisht nga ambasadori amerikan, pohuan burimet.

Ndërkohë fill pasi akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm për shkelje të Kushtetutës dhe për faktin se për 18 muaj me rradhë ka qenë kundër reformës në drejtësi, ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu pati sot takime në kryeministri dhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gazetari Artan Hoxha flet për një video-skandal të prokurorit shqiptar brenda hotelit luksoz

$
0
0

Gazetari Artan Hoxha ka bërë një postim provokues pas përplasjes së Prokurorisë së Përgjithshme me Ambasadën e SHBA-së, ku paralajmëron një prokuror, pa e identifikuar më shumë, që të mos paraqitet më me shoqëruesen e tij në hotelin luksoz në Vjenë të Austrisë.

Hoxha lë të kuptohet se ekziston një video që vërteton këtë lidhje kur thotë se serveri i hotelit nuk është zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa bën një paralele me serverin e resortit “Santa Quaranta”, ku nuk është gjetur asnjë video për t’u sekuestruar si provë nga policia, pasi serveri është zhdukur.

Gazetari Hoxha shkruan se lajmi vjen nga “Rruga e Elbasanit”, term që i referohet shpesh Ambasadës Amerikane, për shkak të vendodhjes së saj në këtë rrugë të kryeqytetit.

“Prokurori dhe shoqëruesja e tij, lajmërohen të mos paraqiten më në dhomen nr. 401 në hotelin luksoz me arkitekturë supermoderne, Stephansdom Hotel, Viene, Austri… Lajmi nga “Rruga e Elbasanit”… Serveri hotelit nuk është zhdukur pa lënë gjurmë si serveri i Santa Quaranta të Balilit në Sarandë… Ngjashmëria me emra konkret është thjesht çështje koecidence”, shkruan Hoxha.

Aleanca Popullore për Drejtësi: Pinjollët e komunizmit po sulmojnë partinë e vlerave të djathta

$
0
0

Partia më e re e spektrit politik, Aleanca Popullore Për Drejtësi ka reaguar sot ndaj disa lajmeve të botuar në media ku sulmohet kauza e kësaj partia.

APD me kryetar z. Bilal Kola, është parti e themeluar disa ditë më parë, në qendër të programit të së cilës janë të drejtat ish të përndjekurve nga komunizmi, ish-pronarëve dhe diasporës.

Në reagimin e saj APD shprehet se “çdo shërbëtor i së majtës në diktaturë dhe i pushteteve të majta në tranzicionin shqiptar, i kamufluar në demagogjinë që i karakterizon dhe i përgatitur në “byronë e disinformimit”, shikon te e Djathta reale që përfaqëson Aleanca Popullore Për Drejtësi, një kundërshtar historik dhe të pakompromistë me ta!’.

Deklarata e plotë e APD:

“Përgjatë këtyre ditëve, përpost bojkotit total të Konventës Kombëtare së Aleancës Popullore Për Drejtësi nga mediat vizive kombëtare dhe ajo e shkruar, disa portale me pinjollë të internacionales komuniste, të cilët në rrugën e të parëve të tyre si shërbëtorë besnikë të armiqve shekullorë të kombit Shqiptar, kanë nisur një fushatë baltosjeje dhe disinformimi të opinionit publik në lidhje me profilin politik të Aleancës Popullore Për Drejtësi me qëllim minimizimin e kauzës së saj!

I bëjmë me dije opinionit publik se çdo shërbëtor i së majtës në diktaturë dhe i pushteteve të majta në tranzicionin shqiptar, i kamufluar në demagogjinë që i karakterizon dhe i përgatitur në “byronë e disinformimit”, shikon te e Djathta reale që përfaqëson Aleanca Popullore Për Drejtësi, një kundërshtar historik dhe të pakompromistë me ta!

Në kushtet ku elektorati i Aleancës Popullore Për Drejtësi, i përbërë nga të përndjekurit politikë, pronarët legjitimë dhe diaspora shqiptare, është manipuluar, dhunuar, abuzuar dhe keqpërdorur nga qeverisjet e majta të shpallura ose jo, përmbi çerek shekulli, përballë shpifjeve dhe sulmeve të tilla nga të majtët historikë dhe pinjollët e tyre, sheh qartë arsyen e një embargoje të turpshme dhe disinformimi të orkestruar!

Aleanca Popullore Për Drejtësi do të vazhdojë luftën e saj, qoftë dhe e vetme, ndaj gjithë faktorit stalinisto-enverist që ka marrë peng shtetin dhe të ardhmen e shqiptarëve”.


Pas Greqisë, edhe në Zvicër, ushtarët pozojnë me shqiponjë në krahë

$
0
0

Mediat zvicerane informojnë se disa ushtarë zviceranë me origjinë shqiptare kanë pozuar në profilet e tyre në Facebook të veshur me uniformat e ushtrisë ku kanë ngjitur në krahë simbolin e shqiponjës shqiptare me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

Këta ushtarë i përkasin repartit “Sezione Zug Shipi” e fotografitë e tyre kanë entuziazmuar komunitetin zvicerano-kosovarë në Facebook, raporton Ora News.

Ndaj këtij rasti është prononcuar zëdhënësi i shtypit i Ushtrisë zvicerane z. Daniel Reist i cili është shprehur se “nuk është e lejueshme të modifikohet uniforma me simbole të huaja. Mund të krijohet një simbol jo zyrtar i repartit të cilit i përket , por nuk është e lejueshme ta shfaqësh atë mbi uniformë.”

Rekrutët shqiptarë janë marrë në pyetje nga komandanti i repartit të tyre e janë dënuar nga ana disiplinore për shkelje të normave të shërbimit.

“Është një shkelje e lehtë” është shprehur zëdhënësi Daniel Reist. Dënimi disiplinor është i drejtë dhe rekrutët duhet ta kuptojnë gabimin e tyre.”

IMG_2284

I revokuan vizën, gjyqtari sulmon Donald Lu

$
0
0

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk është zyrtari i vetëm nga rradhët e drejtësisë që ka shpërthyer sot në akuza ndaj ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj, i cili e pohon edhe vetë që është një prej anëtarëve të sistemit të drejtësisë të cilëve iu është revokuar viza amerikane, ka shpërthyer sot në rrjetin social “Facebook” kundër Donald Lu.

 

lazaj 1

 

Gjatë një replike me gazetarin investigativ, Artan Hoxha lidhur me përplasjen Llalla-Lu, gjyqtari Lazaj shkruan: “Artan, e thënë në këto momente nga Ambasadori duket e pabesueshme. Pse pikërisht sot, që shkroi shqetësimin Prokurori, apo e ka kapur zakoni shqiptar. Ka ardhur momenti që boll më me misticizma e hidhu pirdhu, po çdo njeriu duhet t’i vihet festja, nga më i madhi e deri më i vogli, vendas apo i huaj. Ky misticitet në revokimin e vizave nuk më pëlqen fare. Kontrolli bëhet në momentin e dhënies së vizës e mandej po shkel rregullat e atij vendi apo përbën rrezik për atë vend mund të revokohet.

 

lazaj 2

Secilit që iu është revokuar duhet t’i jepet një qëndrim personal e jo kështu në përgjithësi “kemi informacion”. Besoj nuk janë ISIS të refuzuarit, por njerëz të nderuar të këtij kombi që me të mirat e të këqiat kanë dhënë kontribute më shumë se çdo politikan në jetë. Kështu mbeten të pabesueshëm. Kjo nuk do të thotë që veprimet e nxituara të ambasadorit më kanë shuajtur dashurinë për USA, përkundrazi ma ndezën më tepër”, – shkruan Lazaj.
Reagimi i tij ndaj ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu është i dyti më i ashpër që vjen nga rradhët e sistemit të drejtësisë, pas atij të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Kush është Rovena Gashi, bashkëpunëtorja e afërt e Llallës që iu refuzua viza nga ambasada amerikane

$
0
0

Rovena Gashi është një ndër prokuroret që i është refuzuar viza nga ambasada amerikane në Tiranë.

Kjo u bë me dije sot në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Po kush është ajo? Rovena Gashi njihet si një prej bashkëpunëtoreve të afërta të kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Ajo mban detyrën e drejtoreshës së Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, ndërkohë që në dorë të saj janë është edhe struktura e posaçme në prokurori për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Sipas deklaratës së Llallës, Rovena Gashi ishte thirrur në takim nga ambasada amerikane në Tiranë një ditë para se të hidhej shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në atë takim asaj i është komunikuar gjithashtu edhe revokimi i vizës për në SHBA.

Bashkë me Rovena Gashin, ambasada amerikane i ka refuzuar vizën edhe shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë, ndonëse emrat e tyre nuk bëhen publike./Lapsi.al

“I dërgoi të dashurës së re videot tona duke bërë seks, nuk doja ta vrisja, unë e shpëtova”

$
0
0

Zbardhet dëshmia e shqiptarit, Hasan Varoshi, 25 vjeç i akuzuar se tentoi të vriste ish-të dashurën e tij.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në Xhenova, më 30 janar, ku u raportua se shqiptari dogji ish të dashurën italiane, por përfundoi edhe vetë me plagë djegieje.

Mediat italiane raportojnë se gjatë dëshmisë së dhënë për policinë në spital, (pasi edhe ai ndodhet me plagë djegieje) ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një krim xhelozie apo vrasje dashurie.

Varoshi ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Alessandra P., 40 vjeçe për t’i shkatërruar telefonin, pasi i dërgonte të dashurës së tij aktuale video ku ai dhe ajo (Alessandra) shfaqeshin duke kryer marrëdhënie seksuale.

“Nuk është e vërtetë se shkova për ta dëmtuar”, tregon 25-vjeçari. “Në fakt ajo po më provokonte duke i dërguar të dashurës sime aktuale videon tona duke bërë seks.”

Sipas tij, Alessandra ishte duke bërë punë në shtëpi dhe po pastronte me alkool kur ai shkoi në banesën e saj.

Ai ka treguar se pas debatit, mes tyre lindi një grindje.

Në sherr e sipër shishja me alkool përfundoi në tokë dhe 25-vjeçari ka thënë se e largoi atë, por ajo përfundoi te sobës, çfarë solli pastaj edhe shpërthimin e zjarrit.

“Ajo po digjej, unë e shpëtova nga flakët”, tregon shqiptari raporton Panorama. Nga hetimet ka rezultuar se Alessandra ka marrë djegie më të shumta.

Ndërkohë, që Hasani ka thënë se e kapi prej krahu për ta larguar nga zjarri.

Më pas, theu xhamin e dritares për të dalë jashtë. Të dy u dërguan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

“Policia shoqëroi shoferin e Kokës, në makinë ishte edhe gruaja e ministrit dhe porosia e Vasilit”

$
0
0

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar dje një lajm sipas të cilit policia pak kohë më parë ka shoqëruar në rajon shoferin e ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili drejtonte makinën ku ishte edhe bashkëshortja e ministrit.

Duke folur në emisionin “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News 24, ai tha se ministri Koka i është ankuar ministrit Sajmir Tahiri lidhur me këtë ndalim të shoferit të tij.

Hoxha tha gjithashtu se pas kësaj ngjarje, e cila është diskutuar edhe në Këshillin e Ministrave, ka ardhur edhe porosia e Petrit Vasilit, i cili i ka kërkuar ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të Bashkive që të kenë kujdes sepse policia mund të tentojë tu fusë drogë në makinë.

Deklarata e Artan Hoxhës

Kam një rast që nuk është publikuar në media, por që ka qenë një incident që edhe në mbledhjet e Këshillit të Ministrave është përmendur. Unë nuk e di nëse ka qenë skuadra e operacioneve speciale apo kanë qenë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, por kanë shoqëruar truprojën e ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

Në makinë ka qenë edhe bashkëshortja e tij. Ndërkohë që shoferi është punonjës i Gardës, ka pasur dokumentacion, ka pasur leje arme dhe leje qarkullimi. Ka qenë edhe një përfaqësues juridik i biznesit që ka zoti Koka.

Kjo histori ka përfunduar me shoqërim në polici. Fakti që u shoqëruar në polici dhe është ndërhyrë me maska…i kanë thënë për një verifikim dhe më pas e kanë lënë të lirë.

Kjo histori ka krijuar problem dhe prandaj është përmendur Këshilli i Ministrave dhe zoti Koka është ankuar “pse duhet të ma bëni këtë gjë?”. Zoti Tahiri ka thënë se “është një keqkuptim dhe unë mesa kam komunikuar me drejtorin e Policisë më ka thënë që kjo është një keqkuptim”.

Kjo nuk është kapërdirë kaq lehtë.

Me sa di unë në atë mbledhje ka folur edhe ish-ministri Manjani i cili ka thënë që këto janë metoda për të na krijuar probleme sepse policia nuk mund të ndërhyjë te makinat dhe gratë tona.

Po ta lidhësh pastaj me porosinë që ka dhënë Petrit Vasili që “kini kujdes se policia mund të na vendosë nëpër makina lëndë narkotike…”. Policia ka pasur informacion që një makinë deputeti është përdorur për të tilla gjëra”.

 

Sulmi ndaj familjes shqiptare në Athinë: Pistat e hetimit, pse u vra gruaja dhe u plagos rëndë burri i saj

$
0
0

Mbetet ende e mbuluar me mister ngjarja e rëndë në lagjen “Peristeri” të Athinës, kur dy persona të maskuar, ende të paidentifikuar hynë në banesën e familjes shqiptare, vranë me plumb kokës gruan dhe plagosën rëndë burrin.

Mediat greke raportojnë se ajo që u tha fillimisht si grabitje, duket më shumë një larje hesapesh, por policia ende nuk ka dalë me version zyrtar rreth ngjarjes dhe as ka bërë me dije identitetin e viktimës dhe familjarëve të tjerë.

Raportimet e fundit nuk përcaktojnë arsyen se pse personat e maskuar kanë hyrë në banesën e shqiptarëve dhe se pista e grabitjes nuk duket bindëse, pasi sipas gazetarëve grekë, autorët kanë hyrë në dhomën e gjumit dhe kanë zbrazur armën në kokën e gruas shqiptare, 50 vjeçare, kurse burrin e saj, 55-vjeçar e kanë plagosur rëndë.

I plagosur mbeti edhe djali i çiftit, një 28-vjeçar, i cili pasi dëgjoi të shtënat tentoi të hynte në dhomën e prindërve.

Një nga autorët e qëlloi djalin me qytën e armës, kurse vajzës 18-vjeçare nuk i bënë gjë.

Sipas raportimeve në mediat greke, fakti që ata nuk u kanë bërë gjë fëmijëve, duket më shumë si një larje hesapesh.

Por, të tjera raportime, flasin se autorët janë larguar me një çantë, ose portofol me vete, të grabitur nga banesa, që aludohet të jetë me para.

Fqinjët e familjes shqiptare, tregojnë se ata kishin një dyqan aty pranë, ishin të sjellshëm dhe nuk njiheshin fare si persona problematike.

SHBA rrëzon Gruevskin: Përkrahim punën e ambasadorit në Shkup

$
0
0

“Departamenti Amerikan i Shtetit e përkrah punën e ambasadorit Xhes Bejli”, thuhet në përgjigjen e ushtruesit të detyrës, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Mark Toner, në pyetjen e “Zërit të Amerikës” në gjuhën maqedonase, pas spekulimeve në disa media se Ambasada në Shkup nuk flet në emër të administratës së SHBA-së.

Toner është thotë se nuk ka ndryshim të politikës amerikane ndaj Maqedonisë.

“Politika amerikane në Maqedoni e përkrah integrimin euro-atlantik të shtetit dhe reformat e nevojshme për zhvillim në atë drejtim. Ajo i përfshinë edhe reformat, sundimin e ligjit dhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës”, thotë Toner.

Ai konfirmon se drejtimet e ambasadorit Bejli dhe ekipit të tij janë “të punojnë në partneritet me autoritetet e Maqedonisë por edhe me shoqërinë civile për përparim të politikës amerikane dhe qëllimeve të SHBA-së”.

Ai shtoi se Stejt Departamenti Amerikan ka besim të plotë në Ambasadën e SHBA-së dhe ambasadorin e Maqedonisë. Toner gjithashtu shtoi se SHBA si mik i Maqedonisë fuqishëm i inkurajon të gjitha palët që ta respektojnë sundimin e së drejtës, proceset demokratike dhe obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë.

“Ne duam ta shohim Maqedoninë e fuqishme, në rrugën drejt rrugës euro-atlantike”, tha Toner.

Reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit vjen një ditë pasi dje mediat proqeveritare në Maqedoni plasuan një kronikë, ku sipas së cilës, disa republikanë të Kongresit Amerikan e kanë akuzuar ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, për anim politik dhe të njëjtët kanë kërkuar shkarkimin e tij.

Fushatën anti-Bejli e udhëheqë partia në pushtet VMRO-DPMNE, e cila ka njoftuar se kanë dërguar kërkesë deri te Donald Trump dhe partia republikanë që ta kontrollojnë punën e Xhes Bejlit në Maqedoni, duke e akuzuar se punon nën diktat të Sorosit dhe LSDM-së.


Shpjegimi i Departamentit të Shtetit: Pse iu hiqen vizat zyrtarëve të korruptuar

$
0
0

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se ka revokuar vizat për 23 gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë, mes të cilëve edhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Më poshtë është shpjegimi i Departamentit amerikan të Shtetit, kur iu hiqet viza të korruptuarve:

Përpjekjet anti-korrupsion të SHBA-ve

Anembanë botës, korrupsioni dëmton rritjen ekonomike, pengon zhvillimin, destabilizon qeveritë, minon demokracinë dhe krijon terrene për grupe të rrezikshme si ato kriminale, trafikantë dhe terroristë.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë anti-korrupsionin një prioritet të sigurisë kombëtare dhe punon anembanë globit që të parandalojë dhënien e rryshfetit, të promovojë përgjegjësinë dhe të forcojë reformat.

Në maj të 2016-ës, SHBA-të morën pjesë në samitin global të anti-korrupsionit në Londër, mbledhja e nivelit më të lartë të llojit të vet për të nxitur rrethanat për të çrrënjosur korrupsionin nëpër botë.

Përpjekjet globale anti-korrupsion të Departamentit kanë tri elemente:

Parandalimi i korrupsionit dhe rritja e përgjegjshmërisë: Ne asistojmë shtete të përkushtuara për të goditur korrupsionin duke forcuar institucionet demokratike ashtu edhe duke ngritur mbështetje të re duke i fuqizuar avokatët e qytetarëve t’i mbajnë qeveritë e përgjegjshme për standardet globale.

Duke forcuar zbatimin ligjit përgjatë kufijve: Ne punojmë me partnerët globalë që të rrisim bashkëpunimin për forcimin e zbatimit të ligjit përtej kufijve, duke përmirësuar ndarjen e të dhënave ndërmjet qendrave kryesore financiare dhe të zhvillojmë mjete për të rekuperuar asete të vjedhura.

Duke goditur lidhjen Korrupsion-Siguri: Ne flasim për korrupsionin në zonën e sigurisë, duke ekspozuar si korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare dhe aftësinë për të mbrojtur qytetarët, mundur terroristët dhe mbrojtur sovranitetin kombëtar.

Në 2016 Departamenti vuri në dispozicion 70 milionë dollarë, që prisnin miratimin e Kongresit për një “Iniciativë Integriteti” të re për të mbështetur reformat lokale, policinë, prokurorët, detektivët, gjykatësit, shoqërinë civile dhe gazetarët në luftën kundër korrupsionit.

Për më tepër, SHBA-të do të bashkë-organizojnë Forumin e Rekuperimit të Aseteve Globale

Këto përpjekje i ndihmojnë vendet që të arrijnë kërkesat ndërkombëtare si Konventa e OKB-së kundër Korrupsionit dhe mbështesin punën e strukturave si Partnerishipi i Qeverisë së Hapur.

Duke prioritizuar anti-korrupsionin, Departamenti i Shtetit kërkon që ta bëjë edhe më të vështirë për kriminelët dhe terroristët që të zënë rrënjë e të përhapen, të promovojë qeveritë që janë më të stabilizuara dhe të përgjegjshme dhe të ngrejë terrenin për bizneset e SHBA-ve që të konkurrojnë në çdo krahinë.

 

Kreu i Gjykatës Kushtetuese i shkruan ambasadës amerikane: Pse i revokuat vizën Besnik Imerajt?

$
0
0

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja përmes një letre drejtuar ambasadës amerikane në Tiranë kërkon të sqarohet lidhur me vendimin e ambasadës për ti revokuar vizën gjyqtarit të Kushtetueses, Besnik Imeraj.

Kjo letër që mban datën 1 Shkurt 2017 i është dërguar për dijeni edhe krerëve të institucioneve, si Presidenti, kreu i Parlamentit, ministri i Jashtëm, shkruan Opinion.al që ka siguruar kopjen e kësaj letre.

Në letër thuhet se gjyqtari Imeraj ka qenë mbajtës i një vize amerikane me afat deri në 2018 dhe për arsye të panjohura i është pezulluar më datë 26 Janar.

“Brenda kuadrit ligjor na informoni për arsyet e heqjes së vizës”, shkruan Bashkim Dedja.

letra-logo

2b4fe1eb-be5c-48fd-ba2d-4f44487019ab

Ngjela sulmon Llallën: Je katundar, përdor vizën diplomatike për të lindur fëmijë në SHBA

$
0
0

Ironik dhe me tone të ashpra ka qenë reagimi i avokatit Spartak Ngjela lidhur me përplasjen në distancë mes ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Në një mesazh në rrjetin social Facebook Ngjela e ka cilësuar “katundar të rëndomtë” Llallën, pasi ky i fundit sipas tij përdor një vizë diplomatike që gruaja e tij të lindë fëmijën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera avokati shton se “prokuror mediokër” po turpëron vendin ndërkombëtarisht, pasi sipas tij e dinë ambasadorin amerikan person fizik.

MESAZHI I SPARTAK NGJELËS NË “FACEBOOK”

Këta krerë politikë që ushqejnë një prokuror mediokër në aventurë, po na turpërojnë ndërkombëtarisht se e dinë ambasadorin amerikan person fizik. U interesova, dhe mësova që heqjen e vizës së gruas së Prokurorit shqiptar dhe vetë Prokurorit ia ka kërkuar Ambasadës Amerikane në Tiranë Departamenti Homland Security (Ministria e Brendshme amerikane)- domethënë qeveria amerikane, sepse me atë vizë të pasaportës së saj diplomatike kishte lindur në një maternitet amerikan. Vetëm katundarë të rëndomtë veprojnë kështu. Kurse të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë, viza iu është hequr sepse dyshohen se mund të kërkojnë azil të paligjshëm në SHBA, për t’i shpëtuar vetingut. Turp për injorancën, por shqiptarët e shkretë çfarë faji kanë që të vuajnë nga injoranca Berisha-Meta, që, pasi kanë vjedhur, veprojnë si kaçakë në politikë.

Nuk shpëtojnë dot: Reforma në Drejtësi është domosdoshmëri e interesit amerikan dhe interesit shqiptar në Ballkan. Nuk ka tërheqje sepse është një perspektivë amerikane ligjore. Po kujt t’i thuash, Metës? një injoranti që thërret ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe denoncon tek ata ambasadorin amerikan, kur këta të habitur nga nonsenset fëminore të Metës, shkuan të gjithë te Donald Lu dhe i kërkuan domosdoshmërisht të interesohet për çthurjen mendore që konstatohet në rangjet e larta të shtetit shqiptar nga personat që rrezikohen me ndëshkim penal nga Reforma në Drejtësi. Gjithsesi shqiptarët janë në udhën e suksesit të shtetit të tyre ligjor. Reforma nuk ndalohet. Kurse këta qaramanë duhej ta kishin matur veten mirë para sesa të futnin duart në paratë e shqiptarëve. Tani është shumë vonë…

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë: Çfarë thanë Nishani dhe Meta për “Eskobarin”

$
0
0

Nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani dhe me kërkesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta u mblodh sot Këshilli i Sigurimit Kombëtar për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar veprimet dhe përpjekjet lidhur me çështjen “Balili”.

Nishani theksoi që në fillim se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim, i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare.

“Çështja ‘Balili’, përtej nivelit kombëtar i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse ajo është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate dhe për këto arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese lidhur me hetimin e mëtejshëm të saj” – u shpreh Presidenti Nishani.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në diskutimin e tij, argumentoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me faktin se “rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit tonë”.

Më pas të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar në mënyrë sa më efektive krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

Presidenti Nishani në përmbyllje, vuri në dukje rëndësinë dhe domosdoshmërinë e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duke vlerësuar nismën e marrë nga Meta, si dhe falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre produktiv dhe konstruktiv.

Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike dhe komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deri më tanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve, pastrimin e parave duke ndikuar edhe në imazhin e shtetit shqiptar, por vetë faktin që edhe partnerët tanë dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese janë interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj dhe kanë shprehur shqetësimin disa herë, ilustron përmasat e mëdha që ajo mbart jo vetëm duke cenuar sigurinë tonë kombëtare duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narko-trafikut, por edhe te nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rritjes së përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale”, – u shpreh Presidenti Nishani.

Spanja heq vulën apostile, Bushati ia kërkon edhe Greqisë

$
0
0

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i kërkon Greqisë të heqë vulën apostile me Shqipërinë, në pajtim me konventën e Hagës.

Më posaçërisht, zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, në pajtim me Konventën e Hagës e mezi presim edhe nga Greqia, si një sinjal të qartë të përkushtimit ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë. Një vendim i tillë, në të njëjtën linjë me vendet e tjera anëtare të BE-së, do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe mbi të gjitha duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe kohën për legalizimin e dokumenteve. Jam shpresëplotë se do të ecim në këtë drejtim, pasi çdo ditë punojmë për të mundësuar shërbime konsullore të sigurta, transparente dhe me kosto të ulët, dhe jo më radhë të gjata dhe shërbime sipas xhepit”, wshtw shprehur ministri Bushati.

Ndërkaq ka qenë radha e Spanjës të heqë vulën apostile me Shqipërinë, duke zbatuar kështu regjimin pa legalizim të dokumenteve, duke lehtësuar kështu procedurat mes dy vendeve. Ky hap, thotë ministria e Jashtme do ti kursejë shtetasve tanë kohë dhe shpenzime.

Duke marrë në konsideratë modernizimin dhe garancitë e rregullshmërisë së dokumenteve që lëshohen nga administrata shqiptare, Spanja vendosi të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s. Tanimë, të gjithë dokumentet zyrtarë të prodhuar nga autoritetet e të dyja vendeve do të apostilohen pa pasur nevojë të legalizohen nga përfaqësitë respektive diplomatike”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Për çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare dhe që do të paraqitet në Spanjë do të kursehet tarifa e legalizimit nga autoritetet spanjolle, me vlerë 20 euro/dokument, si dhe koha e pritjes do të përgjysmohet.

Gjithashtu, dokumentet e prodhuara nga autoritetet spanjolle, për të qenë të vlefshme në Shqipëri, duhet të pajisen me vulën Apostille të lëshuar nga institucionet spanjolle, pa pasur nevojë të legalizohen në Ambasadën tonë në Madrid. Edhe në këtë rast, kursehen 20 euro/dokument dhe ulet ndjeshëm koha e pritjes.

Në kuadër të reformës së shërbimeve konsullore po vijojmë përpjekjet për heqjen e legalizimit të dokumenteve edhe me vende të tjera të BE-së ku jetojnë shtetasit shqiptarë.

Viewing all 4640 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>