Rrjeti i njohur britanik i restoranteve “Byron Burger” duket se nuk i kishte bërë llogaritë mirë kur futi në kurth dhjetëra emigrantë, mes tyre edhe disa shqiptarë.
Qindra aktivistë të dy organizatave London Black Revs dhe Malcolm X Movement kanë protestuar kundër rrjetit “Byron Burger”.
Protestuesit kanë hedhur në restorante buburreca dhe karkaleca në formë hakmarrje, ndërsa dy prej tyre u detyruan të mbyllen.
Drejtuesit e “Byron Burger” vendosën të spiunonin tek autoritetet emigrantët e paligjshëm, duke futur në kurth 35 njerëz nga Shqipëria, Brazili, Egjipti dhe Nepali.
Ata nxorën një njoftim të rremë se kërkonin punëtorë të huaj, madje dhe pa leje qëndrimi në Londër. Pasi shumë emigrantë të huaj shkuan për të dhënë intervistën, drejtuesit njoftuan policinë.
Por veprimi i tyre ka nxitur urrejtje, pasi dy organizatat kanë premtuar edhe protesta të tjera, duke i bërë në këtë mënyrë një reklamë negative restoranteve.