Prokuroria për Krime të Rënda “shkrin” stacionin e Policisë të Portit të Durrësit.
Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, është urdhëruar arrestimi i një numri të lartë personash, ndër të cilët 10 punonjës policie në Portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si edhe 8 doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në shkurt dhe mars 2017.
“Për të gjithë këta persona, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “trafikut të narkotikëve” në bashkëpunim. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, të cilat u zbatuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, si edhe Policisë së Shtetit, për zbatim”, bën me dije organi i akuzës.
Prokuroria bën me dije se ky hetim përfshin dy episode:
“Rasti i parë, i ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës”.
“Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24.03.2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar me rreth 2.2 ton kanabis në bord. Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike”.
Ky operacion duket se ka qenë edhe qëllimi i vizitës urgjente të premten në Prokurorinë e Durrësit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili shoqërohej nga kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar gjatë pasdites së të dielës.
Të arrestuarit janë:
1. Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni, Qafë-Thanë
2. Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi, Qafë-Thanë
3. Maliq Kadilli, agjent doganor, Qafë-Thanë
4. Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë-Thanë
5. Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës
6. Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
7. Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
8. Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
9. Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
10. Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
11. Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
12. Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës
13. Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës
14. Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë)
15. Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë)
16. Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë)
17. Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës
18. Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës