Sërish telashe në familjen e deputetit të përjashtuar nga Partia Demokratike, Mhill Fufi, këtë herë shkaktar është i biri. Ndërsa vetë Fufi ka dhënë shenjat e gishtave në Institutin e Policisë Shkencore pas dyshimeve të forta për dënime të mëparshme brenda dhe jashtë vendit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, djali i tij Geri Fufi ka përfunduar sërish në polici, pasi ka rrahur një bashkëmoshatarin e tij në gjimnazin “Besnik Sykja” në Tiranë, aty ku edhe studion.
Sipas policisë, Geri Fufi së bashku me shokun e tij, Rino Spaho kanë rrahur 17-vjeçari D. S., i cili ka bërë edhe denoncimin ndaj tyre. Kujtojmë se edhe në 2015-ën djali i deputetit u arrestua pasi fshehu një pistoletë me tre fishekë brenda ambienteve të gjimnazit “Besnik Sykja” Ai e kishte futur pistoletën me tre fishekë brenda çantës së shoqes së klasës, për të mos rënë në sy, ndërsa dyshohet se do të hakmerrej ndaj disa të rinjve me të cilët kishte bërë sherr tek shkolla “Vasil Shanto”. Në atë kohë ai u dënua me “arrest shtëpie”.