Pas publikimit të fotos ku 3 deputetë demokratë pinin kafe me kryeministrin Edi Rama në barin e Kuvendit, pavarësisht përplasjeve në sallë dhe para kamerave ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani.
Në një postim në facebook, Dogjani ka sqaruar bisedën me kreun e qeverisë duke thënë se i ka bërtitur edhe më fort se në seancë duke i kërkuar të mos e diskriminojë Kukësin, zonë ku është zgjedhur deputet.
Dogjani ndërkohë shkruan se Rama ka shkuar “i paftuar” në tavolinë. Gjithashtu në kafe me kryeministrin ishin edhe deputetët, Bedri Mihaj dhe Luciano Boçi.
“Po shoh që organet e propagandës së qeverisë kanë shpërndarë në rrjete një foto në barin e Kuvendit, ku Kryeministri I PAFTUAR u ul në tavolinën ku ndodhesha bashkë me 2 kolegë të PD.
E shoh të nevojshme të sqaroj dashamirët dhe dashakeqët se në vend që ta përzija, preferova t’i përsëris edhe më fort ato që ia thashë në sallë dmth:
- I thash që rasti i nxënësve të shkollës në Paskuqan nuk është ashtu siç propagandonte ai. Nxënësit e Paskuqanit kishin qenë nën efektin e lëndëve narkotike të djegura nëpër klasa dhe siç e pamë të gjithë shumë nxënës përfunduan në spitale dhe sot e kësaj dite janë të dëmtuara nga ana psikologjike.
- I kërkova Kryeministrit të hapte Universitetin e Kukësit sepse kuksianët janë të varfër dhe megjithëse fëmijët e tyre janë shumë të mirë në mësime nuk kanë mundësi t’i dërgojnë në Universitet për shkak të varfërisë.
3.I thash të mos na diskriminojë, shumë mirë ke bërë që ke hapur Universitetin e Sarandës por hape dhe Universitetin e Kukësit.”, shkruan Dogjani në Facebook.