Nga Dr. Isidor Koti
Pak njerëz e dinë që ekziston një qoshe shprese në vorbullën e kryeqytetit. Madje fare pranë me qendrën e zhurmshme dhe të trafikuar jo vetëm nga makinat dhe të pasurit, por edhe nga qindra e mijëra frymë që enden rrugëve për një copë bukë. Tirana po kap milionëshin e njerëzve me miliona halle të marra së bashku. Dhe sa më shumë rritet numri i banorëve, aq më shumë të varfër ka që përpiqen ku e si të ushqehen për t’i shpëtuar mbijetesës.
E quajnë mensë, por në thelb është një shërbim dashurie që ju vjen në ndihmë personave në nevojë pa dallim besimi, ngjyre, gjinie ose përcaktimi tjetër. Është kontribut me ushqim falas per rreth 200 persona çdo të martë, të enjte dhe të shtunë nga një staf vullnetarësh, të cilët vijnë nga Kisha Orthdhokse Autoqefale e Shqipërisë. Ata ofrojnë dashurinë e Krishtit, të Kishës, mbështetjen shpirtërore dhe materiale, duke u kujdesur që të çojnë përpara një mision, aspak i detyrueshëm, por njerëzisht i nevojshëm. E kush më mirë se Kisha mund ta ofrojë këtë ndihmë të përzemërt për skamësit e kryeqytetit!
Mensa ndodhet fare pranë Shkollës së Kuqe, në rrugën “Qemal Stafa” dhe i ndihmon këta njerëz me ushqim të gatuar ditor, por dhe iu ofron atyre një vend të sigurt, ku të ndjejnë dashuri për njëri-tjetrin dhe për jetën. Një mjedis i pastër, i rehatshëm e mikpritës, drekë e ngrohtë dhe me vlera ushqimore. I gjithë grupi organizues (kryesisht nga grupi i grave dhe të rinjve të Kishës) punon me përkushtim, duke i trajtuar të gjithë me respekt, dashuri dhe dinjitet. Askush nuk pyetet se cilit besimi i takon, por bëhet përpjekje për të mbushur nevojat më jetike, sepse të gjithë janë krijesa të Zotit, të barabartë para Atij.
“Sa e madhe është dashuria e Perëndisë kur njeriu ndihmon njeriun pa asnje interes! Duaje të afërmin tënd ashtu siç na do Krishti të gjithë ne. Bravo Kishës për bamirësitë që bën gjithmonë për njerëzit në nevojë. Ky humanizëm të bëhet më tepër në vendet më të varfra. Ka shumë fshatra dhe komuna në Shqipëri ku jetojnë njerëz jashtëzakonisht të varfër. Por hiri i Perëndisë nuk e harron asnjëherë njeriun në nevojë” – shprehet Najada Çelo në një koment, teksa ka ndjekur me kërshëri aktivitetin e kësaj mense.
Shkëlqimi ka ardhur nga Berati dhe përmes një rrëfimi prekës, shprehet: “Prej disa javësh kam ardhur në Tiranë i vetëm dhe mundohem të mbijetoj brenda këtij metropoli të madh. Ditët e para në Tiranë ishin për mua shumë të mundimshme dhe të vështira; kam ndenjur 48 orë pa ngrënë dhe askush nuk më jepte as bukë thatë. Shkova në shumë dyqane dhe supermarkete e të gjithë më dëbonin. Ishte shumë dëshpëruese pasi nuk kisha lekë as për të blerë bukë. Të gjithë e gjithçka më dukej e huaj, ashtu si ndoshta dukesha dhe unë për ta. Aty ku flija natën, tek disa stola prapa pallatit të kulturës, disa njerëz si unë më thanë të shkoja për të ngrënë ushqim, por edhe të merrja me vete nga mensa e Kishës. Do mundohem që të mos ju bëhem edhe për shumë kohë barrë e rëndë; po përpiqem të gjej punë dhe kështu të mundem të siguroj gjërat minimale. Perëndia ju bekoftë ju dhe të gjithë ata që e mbështesin këtë mensë. Të jenë përherë mirë e të shëndetshëm”.
Mensa Shërbimi i Dashurisë funksionon që prej janarit të vitit 2005. Ajo ka nisur me 60-70 racione ushqimi falas dy herë në javë. Si ideator dhe mbështetës i saj ka qenë dhe mbetet Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastasi. Por për të mbështetur këtë veprimtari, si edhe për të rritur cilësinë dhe kapacitetet ushqimore brenda kësaj mense, nevojitet edhe mbështetja modeste e bamirësve të tjerë. Sepse edhe një kontribut sado i vogël, kur jepet nga të gjithë, ka një vlerë të madhe.