Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi se sot zona e Bizës në Martanesh do të jetë një bazë e NATO-s.
Duke shoqëruar Sekretarin Britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon, në stërvitjen e përbashkët “Joint Effort 16”, që po zhvillohet në Shqipëri, Kodheli tha se: “Bizën ta transformojmë në një “njollë”, thuhet në gjuhën ushtarake NATO, pra në një zonë stërvitore, në një mjedis stërvitor, ku jo vetëm Forcat e Armatosura Shqiptare, por ato britanike, SHBA-ve dhe besoi edhe të Italisë, të mund të vijnë. Çfarë do të thotë kjo për një vend si Shqipëria apo për qytetarët shqiptarë? Më shumë siguri, më shumë investime, sepse sigurisht që ka nevojë për rrugë dhe për investime të tjera që kjo të bëhet gjithmonë e më e aksesueshme dhe një pozicionim të trupave të përhershme mbase, të aleancës që është një siguri më e madhe”.
Edhe pse ekspertët rus kanë deklaruar se ardhja e tyre në Shqipëri, ishte një kontroll rutinë, a ka të bëjë realisht kjo vizitë me qëllimin e shndërrimit të Bizës në një baze të NATO-s?
“Tani duket sikur Rusia po vjen këtu, por nuk e “nxë” edhe të dojë të vijë. Jo, është një punë rutinë, janë dy gjëra totalisht të ndara. Shqipëria është anëtare e OSBE-së me të drejta të plota, ashtu si edhe Rusia. Ne bëjmë të njëjtën gjë, në Rusi dhe në vende të tjera, ata bëjnë të njëjtën gjë me ne”, tha ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.
Gjithsesi në rajon ka lëvizje të shtuara mes NATO-s dhe Rusisë.
Bie në sy edhe prania ushtarake ruse në bregdetin e Korfuzit.
Në portin grek që ndodhet përballë me Shqipërinë është ankoruar fregata ruse “Admiral Grigorovich”, një nga luftanijet me teknologjinë më të përparuar të flotës së Rusisë.
Fregata ruse “Admiral Grigorovich, do të mbetet në ishull deri të premten për të kaluar më pas në Lefkada dhe ishujt e Jonit në kuadër të javës ruse.