Në një intervistë për Boldnews.al, ish Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, z. Fatmir Vejsiu sqaron shkaqet që kanë lënë mijëra maturantë jashtë dyerëve të universiteteve. Vejsiu shprehet kjo situatë ka ardhur si pasojë e tendencës për të ndryshuar çdo gjë nga e kaluara duke e futur sistemin parauniversitar në një qorrsokak.
“Ka një mani për të ndryshuar çdo gjë në të kaluarën duke nisur që nga rregullat e deri tek termat. Nëse marrim një shembull: Formulari A2 sot quhet Formular aplikimi. Në të kalurën tek ky formular vendoseshin preferencat e universiteteve kurse tani plotësohet formulari me 10 universitete dhe ke të drejtë të zgjedhësh vetëm 1 universitet.”- shprehet profesor Vejsiu për Boldneës.al.
Një grup maturantësh mes tyre edhe nga ata me mesatare mbi 9.5, protestuan para kryeministrisë me kërkesën për të hyrë në universitete. Për ish Drejtorin e Arsimit Parauniversitar në MAS, nga kjo skemë e re e maturës shtetërore kanë përfituar vetëm nxënësit e ekskelencës me mesatare 10 të cilët kanë hyrë në çdo preferencë që ata kanë zgjedhur.
I pyetur nëse në këtë pjesë të ligjit ka favorizime për universitetet private, Vejsiu u shpreh se kjo që ka bërë Ministria e Arsimit është më tepër një paaftësi sesa tendencë për të favorizuar individë apo ndonjë subjekt të caktuar.
Gjithsej janë 35 mijë kuota për studentë të rinj në shkollat e larta publike dhe jo publike, ndërkohë që janë 27 mijë aplikime. Vetëm në sistemin publik përllogariten 24 mijë kuota.
Ja 3 ngërçet e krijuara nga MAS në kurriz të maturantëve
Sipas profesor Vejsiut, 3 janë ngërçet që ka krijuar Ministria e Arsimit dhe e Sportit me të ashtuquajturën reformim të maturës shtetërore.
1.Ngërçi i parë ishte futja e elementeve të reja në maturën shtetërore në shkur 2016. Një nga këto elemente ishte heqja e koefiçentëve për lëndët me zgjedhje. Maturantët që në vitin e parë në gjimnaz ndajnë profilin që duan të zgjedhin: shkencor, shoqëror apo profesional. Kjo ndarje shërbente për rritjen e kofiçentëve të pranimit në universitete. Pra e thënë më thjeshtë ata që kishin zgjedhur profil shkencor në gjimnaz ishin më të avantazhuar për tu pranuar në universitete si mjekësi, inxhinieria etj. për shkak të kofiçentëve të vendosur. Ndërsa ata që kishin zgjedhur lëndë shoqërore kishin më tepër shans të fitonin në universitete si juridik, shkenca sociale etj.
“Me ndryshimet e reja, këto kofiçente hiqen dhe njësohen të gjitha lëndët, pra e njëjta vlera ka matematika e thelluar me fiskulturën, fizika me informatikën, kimia me sociologjin etj.”- thekson profesor Vejsiu.
2.Ngërçi i dytë është se universitetet kanë caktuar disa lëndë të cilat maturanti duhet t’i ketë dhënë gjatë gjimnazit dhe që përbëjën 25 % të vlerësimit total. Sipas ndryshimeve të bëra nga MAS në shkurt të këtij viti, çdo universitet ka caktuar një numër lëndësh preferenciale (nga 5 deri në 10 në varësi të universiteteve) dhe që çdo nxënës duhet t’i ketë frekuentuar gjatë gjimnazit. Ky është një tjetër kaos për maturantët të cilët po përballen me këtë ndryshim absurd në një kohë që ata kanë përfunduar studimet.
“Ky ndryshim duhej të niste që në vitin e parë të maturantëve dhe jo kur ata përfunduan studimet. Shumë prej maturantëve me mesatare të lartë janë djegur vetëm për këtë shkak, kjo pasi gjatë 3 viteve nuk kishin frekuentuar lëndën që kërkon Univeristeti.”- shprehet për Boldneës.al, profesor Vejsiu.
Disa maturantë të tjerë u janë përputhur lëndët që kanë frekuentuar me ato që kërkon universiteti, por ata janë djegur sërish. Kjo sepse lëndët ku ata kanë patur mesatare të lartë, nuk kanë qenë prioritet i universiteteve ku kanë aplikuar e për rrjedhojë vlerësimi prej 25 % ka rënë ndjeshëm.
3.Ngërçi i tretë ka të bëjë me mënyrën e përzgjedhjes së universiteteve në formularin A2. Me sistemin e vjetër të maturës shtetërore, maturantët më përpara seleksiononin 10 universitete duke i renditur nga më i preferuari deri tek ai më pak i preferuari. Pas kësaj, ishte vetë sistemi në mënyrë elektronike që plotësonte të gjitha kuotat vakante në univeresitete sipas metodës meritë-preferencë.
Sot me ngërçin e krijuar, maturanti duhet të zgjedhë 10 universitete dhe mes tyre ka të drejtë të regjistrohet vetëm në 1 universitet. Nëse plotësohen kuotat për këtë universitet, atëherë pjesa e studentëve që kanë aplikuar mbeten jashtë jo vetëm në këtë universitet por në të gjithë listën pasi ata nuk kanë të drejtë që të zgjedhin një universitet tjetër.