Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas zjarrit të rënë në burgun e Shënkollit në Lezhë, ku deri më tani konfirmohet një i vdekur.
“Ministria e Drejtësisë informon se sot rreth orës 16.00 në IEPV Lezhë është vënë re prezencë zjarri në njërën nga qelitë e këtij institucioni. Forcat zjarrfikëse dhe policia e burgjeve kanë ndërhyrë menjëherë për shuarjen e zjarrit. Në vendngjarje është gjetur i asfiksuar dhe pa shenja jete i paraburgosuri F. Sula. Dyshimet paraprake lidhen me një zjarrvënie aksidentale si pasojë e shpërthimit të një bombule gazi për gatim. Hetimet vijojnë për të përcaktuar detajet e mëtejshme të ngjarjes”, thuhet në deklaratën për media.
Ministria e Drejtësisë bën me dije se ministri Manjani dhe autoritetet e sistemit penitenciar po ndjekin me vëmendje ngjarjen, ndërsa jepen edhe sqarime rreth ngjarjes së ndodhur në burgun e Vaqarrit.
“Gjendja momentalisht po shkon drejt normalitetit ndërsa janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për mbajtjen nën kontroll të plotë të situatës. Ndërkohë, sot rreth orës 16.00 në IEPV Vaqarr është plagosur me arme zjarri, nga jashtë institucionit një i paraburgosur, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Drejtoria e burgjeve informon se po kryhen të gjitha veprimet hetimore dhe situata paraqitet e qetë”, vijon deklarata.