Pas dështimit të puçit ushtarak më 15 korrik, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka filluar një fushatë spastrimi në Turqi, jo vetëm kundër puçistëve, por edhe institucioneve të tjera arsimore, që janë të lidhura me lëvizjen Gylen.
Por mediat turke nuk ndalen me propagandën e tyre. Agjencia Anadolu, në një shkrim të saj thotë se rrjeti i predikuesit Fetyllah Gylen, që akuzohet nga Erdogani se ka organizuar grushtin e shtetit në Turqi, është shumë i shtrirë në Shqipëri.
“Influenca e organizatës FETÖ në vendet e Ballkanit vazhdon në shumë fusha, si në arsim, turizëm, media, botime, etj.
Organizata e nisi aktivitetin e saj në Shqipëri në vitin 1993 me hapjen e Fondacionit Gülistan i cili njihet me afërsinë e tij me ideologjinë e Gylenit. Organizata vazhdon me administrimin e kolegjeve si “Mehmet Akif” në Tiranë, “Hasan Riza Pasha” në Shkodër, “Turgut Özal” në Durrës dhe “Memorial International School Tirana” (MIST) në Tiranë. Me shërbimin ndaj fëmijëve të shtresës së pasur dhe politikanëve të vendit organizata ka mundur ti fusë ata nën influencën e saj.
– Arsimin fetar e kthyen në një mjet fitimi
Organizata me dy universitetet që ka nën administrim në Shqipëri, si Universitetin EPOKA dhe BEDËR ka shtrirë ndikimin e saj edhe në fushën e arsimit të lartë. Këto universitete janë nga burimet kryesore të kësaj organizate, ku krahas studentëve vendas dhe të huaj në to studiojnë edhe studentë nga Turqia.
Përmes Fondacionit “Sema” organizata ka shtrirë influencën e saj edhe më shumë në arsim. Duke i marrë nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë (KMSH) ka nën administrim disa medrese në vend si ajo e Kavajës, Korçës, Beratit, Elbasanit dhe e Tiranës. Duke i kthyer këto shkolla që dikur ishin falas me pagesë organizata hapi një tjetër derë fitimi.
Studentët të cilët u arsimuan në Turqi organizata filloi ti vendosë në KMSH, duke shtrirë kështu ndikimin e saj edhe në këtë institucion, që më vonë do të kthehet në një kontroll të padiskutueshëm deri aty sa që të bëjë të mundur të zgjedhë në krye të këtij institucioni një person që nuk është teolog.
– Arsimi parashkollor nga më të shtrenjtit në vend
Organizata FETÖ me synimet e saj të njëjta si ato të Turqisë ka hapur edhe një qendër kursesh në Tiranë me emrin “Meridian”, ku krahas gjuhëve të huaja në këtë kuadër ka edhe një kopsht i cili është një nga më të shtrenjtët në të gjithë vendin.
Në fushën e OJF-ve organizata ka hapur edhe një shoqatë me emrin “Horizontet e Reja” e cila është aktive në shumë fusha si, gjetja e punës për anëtarët e saj, martesa e tyre mes anëtarëve të kësaj organizate dhe tubimet me qëllim anëtarësime të reja në këtë organizatë. Shoqata gjithashtu është përgjegjëse për mbledhjen e pagesave si ndihmë (himmet), para kurbanesh etj, nga anëtarët që ajo i ka punësuar ose janë ideologjikisht të lidhur me të. Pas vendosjes së anëtarëve në vende të ndryshme pune shoqata ju merr atyre pagesa në forma të ndryshme të cilat janë një tjetër derë fitim për këtë organizatë.
Fusha e turizmit është një tjetër fushë ku kjo organizatë nxjerr fitime të majme. Në Shqipëri kjo organizatë më parë operacionet për qëllime turistike apo vizitash i kryente nga një agjenci me emrin “Venus”, por rreth dy vite më pare kjo firmë u mbyll dhe më pas organizata filloi të punojë në këtë fushë me njerëz të ndryshëm të besuar.
Organizata në Shqipëri është shumë aktive edhe në fushën e tregtisë dhe biznesit ku me anë të Dhomës Shqiptare të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD), ajo merr fitime nga shumë kompani të cilat vijnë për të punuar në Shqipëri.
Një tjetër fushë veprimi e organizatës FETÖ në Shqipëri është edhe ajo e medias. Me anë të elementëve të tyre të cilët kanë arritur të depërtojnë në shumë media, ajo mundohet të ketë një kontroll të gjerë mbi këto institucione. Organizata e cila ka nën ndikimin e saj edhe analistë të medias, duke i punësuar në universitetet e saj, momentalisht mund të themi që ka nën kontroll disa media në vend. “Gazeta Start”, një ndër gazetat e para online dhe më të mëdhatë në vend të këtij lloji ishte një nga mediat kryesore të kësaj organizate në Shqipëri. Pas ngjarjeve të 15 – 25 dhjetorit kjo gazetë filloi të bënte propagandë kundër shtetit turk. Organizata e cila mbylli këtë gazetë për një arsye që ende nuk dihet, pas mbylljes së saj ndikimin e saj mediatik e bën përmes elementëve të infiltruar në gazetat e tjera në vend.
Nga ana tjetër gazeta “Drita Islame” e cila është në varësi të KMSH-së, herë pas here krahas shkrimeve fetare nuk nguron të bëjë reklamën dhe propagandën e kësaj organizate.
Ashtu sikurse në Bosnjë dhe Hercegovinë, organizata në Shqipëri, përmes shtëpisë botuese “Prizmi” boton libra të përkthyer në gjuhën vendase. Në këtë mënyrë shtëpia botuese “Prizmi” ka marrë përsipër peshën e botimeve të kësaj organizate.
Organizata FETÖ e cila e ka treguar veten në shumë fusha në Shqipëri, ka edhe një faqe të titulluar “fgulen.com/al” e cila ka shkrime të Fethullah Gülen-it në gjuhën shqipe. Në këtë faqe publikohet edhe ligjëratat e tij javore”. Burimi: AA