Gjykata e Tiranës ka dhënë një urdhër mbrojtjeje për një nënë 56-vjeçare e kërcënuar nga e bija e saj 21 vjeçe. Sipas gjykatës, paditësja F. S. prej kohësh dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht nga vajza e saj.
Në gjykatë nëna ka pohuar se gjithë “terrorin” e së bijës e ka falur, me qëllim normalizimin e marrëdhënies. Sipas 56-vjeçares, gjatë muajit të fundit, e bija i ka bërë presion të vazhdueshëm duke i kërkuar t’i japë një shumë prej 3 milionë lekësh. Kur paditësja e ka pyetur të bijën se përse e kërkonte këtë shumë lekësh, ajo i është përgjigjur se edhe sikur në dhe të futej, asaj nuk do t’ia tregonte.
E vënë në dijeni për kallëzimin në polici, 21-vjeçarja është bërë agresive ndaj të ëmës, duke thyer disa sende në shtëpi. Në këto kushte, paditësja e frikësuar ka vajtur përsëri në Komisariatin e Policisë nr. 3 Tiranë, ku ka denoncuar dhunën e së bijës, si dhe ka kërkuar mbrojtje.