Nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, njëkohësisht deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi i është përgjigjur kolegut të tij socialist, Pandeli Majko në lidhje me debatin për nenin 88 të draftit të Reformës.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Bylykbashi ka shkruar se “gozhda” e Majkos i ka kujtuar historinë e Nastradinit. Ndërsa ka shtuar me ironi se duhet naivitet i sinqertë për të krahasuar këtë hanxhar në dorën e kryeministrit me një palo gozhdë! Sipas tij, reforma në drejtësi nuk është e asnjë politikani, ajo do të dyja kolonat, pasi në të kundërt rrëzohet në kokën e të gjithëve.
Postimi i plotë I Oerd Bylykbashit:
“Sot lexova reagimin e një politikani të mazhorancës ku, në një përpjekje që ai vetë e konsideronte sinqerisht naive, kërkesën e opozitës për moskapje politike të drejtësisë nga Kryeministri, e krahasonte me një gozhdë. Më kujtoi ky krahasim atë historinë e gozhdës së Nastradinit, i cili pasi shiti shtëpinë, kërkoi të ruante vetëm një gozhdë në murin e dhomës së ndenjes. Pronari i ri ia lejoi, se fundja një gozhde ishte. Por u pendua hidhësish sepse, që prej asaj dite, Nastradini nuk i shqitej nga shtëpia, me sebepin e gozhdës ku kishte të drejte të varte pallton e tij.
Pikërisht, kjo është ajo gozhda që kërkon të ruajë Kryeministri tek reforma në drejtësi: kontrolli mbi vetëm dy institucionet e vetingut. Që t’ua themi troç e thjeshtë shqiptarëve: kërkon vetëm të emërojë ai vetë ata persona që do të vendosin cilët gjyqtarë dhe prokurorë do të largohen dhe cilët do të qëndrojnë në detyrë. Kaq pak, asgjë më shumë. E ku qëndron problemi për kaq gjë?!
Duhet naivitet i sinqertë për të krahasuar këtë hanxhar në dorën e Kryeministrit me një palo gozhdë! Ose më keq se aq, duhet vendim i sinqertë por me bindje për të mos lexuar e kuptuar atë që po firmos dhe të krekosesh se po bën reformë në drejtësi! Por duhet paturpësi të thuash që kur i emëron Kryeministri institucionet e drejtësisë kjo e fundit nuk u politizoka!
Kam një pyetje për të gjithë, përveç naivëve të sinqertë: nëse Kryeministri do të kontrollojë emërimin e atyre që do shkarkojnë apo lënë në detyrë gjyqtarët dhe prokurorët, a ka ndonjë shans që ministrat që kanë dhënë koncensione skandaloze me lekët e shqiptarëve të hetohen, arrestohen dhe dënohen me burg për korrupsion? Shanset janë afër zeros.
A ka investim me afatgjatë në pacenueshmëri sesa ky për Kryeministrin? A ka imunitet më efektivse ky? Jo, nuk ka! Dhe dy fjalë për kolegun. Tonin e reagimit e kishte sikur po shkruante për draftin e Kushtetutës se 1946, as si atë të 1976. Pushteti buron nga gryka e pushkës! Madje edhe me një koncept brezhnjevjan brenda: “ajo që është e imja është e imja. Ajo që është e jotja mund ta negociojmë”.
Reforma në drejtësi nuk është e asnjë politikani, aq më pak e 33 firmëtarëve të draftit të Ramës. Kushtetuta është themeli dhe çatia e të gjithëve. Duhen patjetër së paku 2 kolona për ta mbajtur, ose do të rrëzohet në kokën e të gjithëve. Tensionimin e procesit dhe të politikës në fakt po e nxit Kryeministri që po përpiqet të blejë e trafikojë mandate. Dhe zhurma e tymi i duhet të hutojë publikun.
Lufta për të garantuar moskapjen e drejtësisë nga politika, sot dhe nesër, ia vlen çdo përpjekje, kosto apo mjet demokratik. Nëse opozita nuk qëndron sot, nqs nuk flasim sot, nesër nuk do të ketë mbetur njeri për të folur kur të mos ketë zgjedhje të lira, kur i korruptuari të arrestojë denoncuesin, apo trafikanti i drogës të hipë e zbresë nga Mercedesat e zinj qeveritare.’’