Nëpërmjet edicionit të javës “Pyesni Konsullin”, Ambasada amerikane në Tiranë u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve në lidhje me tema me rëndësi për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të vizitojnë apo të jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Të përzgjedhurit e Lotarisë duhet të përpiqen t’i dërgojnë dokumentet në Seksionin Konsullor mbi dy javë përpara datës së tyre të takimit. Nëse ju nuk e keni marrë akoma Garancinë Financiare dhe taksat nga sponsori në SHBA, ju mund t’i sillni ato së bashku me vizitën mjekësore në ditën e intervistës. Dështimi për të siguruar qoftë edhe një nga dokumentet e kërkuara do të rezultojë në moskryerjen e intervistës në ditën e caktuar dhe vonesa të gjata”, njofton ambasada.
Nëse keni fituar Lotarinë Amerikane, por gabimisht kur keni bërë aplikimin fillestar, keni përmendur një tjetër vendlindje në vend të Shqipërisë, atëherë duhet të kini parasysh se kur të dalë data e intervistës duhet të dërgoni një e-mail tek TiranaUSConsulate@state.gov , ku të specifikoni emrin e saktë dhe gabimin me vendlindjen.
Gjithashtu për të gjithë ata studentë që janë në përfundim të shkollës së lartë dhe duhet të përfitojnë vizë jo-emigruese për punësim veror në SHBA, duhet të dini nëse universiteti juaj ka akreditim nga institucionet arsimore përkatëse: “Edhe ju që jeni studentë që keni bërë të paktën një semestër, dhe keni ndërmend të ktheheni për të vazhduar studimet e lëna, mund të aplikoni. Gjithsesi nuk mund të japim garanci, pasi rasti duhet të shqyrtohet me dokumentet e plota nga oficerët konsullorë”, njofton ambasada.
Sa i përket rastit të bashkimit familjar, kur njëri nga partnerët jeton në SHBA dhe nuk është martuar, ambasada sqaron se mund të tërhiqet partneri nëse martoheni në Shqipëri, por gjithmonë në qoftë se keni shtetësinë amerikane, pasi me Green Card, nuk e lejon ligji.
Ata të rinj që e kanë kryer shkollën e mesme me kohe të pjesshme duhet të dinë se për t’u kualifikuar për vizë Lotarie Amerikane, duhet të përmbushet kriteri i arsimit.
“Do të thotë që aplikanti të ketë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë, që është i barasvlershëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.
Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin me shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së. Nqs. nuk përmbushet kriteri i arsimit ekziston edhe ai i punësimit”, njofton ambasada.
Komento