Pas Saimir Tahirit dhe Lindita Nikollës edhe një politikan tjetër ѱshtѱ “përfshirë” në dosjen e Emiljano Shullazit.
Jurgis Çyrbja, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel Vollgën.
Çyrbja ka dëshmuar në seancën e sotme ndaj Shullazit dhe grupit të tij që akuzohen për gjobëvënie, duke folur për lidhjet e tij edhe me biznesmenin Ylvi Beqja.
Çyrbja është shprehur se fillimisht biznesmeni Ylvi Beqja i ka kërkuar regjistrimin e Hotel Vollgës, ndërkohë që më pas ai takuar me Emiljano Shullazin.
Çyrbja ka deklaruar se Beqja i ka kërkuar që së bashku të takohen me Shullazin dhe takimi është bërë në Shijak, afër shtëpisë së Drejtorit të Hipotekës së Durrësit.
“Shullazi më pyeti nëse do ta regjistroja pronën dhe i kam thënë se do të zbatoj vetëm ligjin. Më pas bëra regjistrimin dhe kufizimin e pronës”, është shprehur Çyrbja në seancën e sotme në Gjykatë.
I pyetur nëse ka pasur konflikte gjatë kësaj periudhe, ai e pohoi, por shtoi se konfliktet nuk i ka pasur me personat e pandehur.
Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe noterja Aida Spahiu. Ajo ka deklaruar se në zyrën e saj kanë shkuar biznesmeni Beqja dhe Shullazi.
Sipas saj, Beqja i ka dhuruar Shullazit një sipërfaqe toke.
“Ka ardhur në zyrën time Ylvi Beqja dhe Shullazi. Beqja i ka dhuruar Shullazit një sipërfaqe toke në shenjë mirënjohje. Të dy nënshkruan dy kontrata dhurimi. Beqaj në kontratën e dytë i dhuroi tokën pa kushte”, ka deklaruar noterja Spahiu.
Ndërsa avokati Neshat Fana, u paraqit në seancë, por nuk pranoi të dëshmojë për shkak të sekretit profesional.
Shullazi akuzohet si kreu i një grupi kriminal për gjobëvënie e mbi të rendojnë 7 akuza.
Sipas Prokurorisë, Shullazi ka gjobitur tre biznesmenët Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku si dhe ka kërcënuar për t’u tërhequr nga gara kandidatin për rektor Mynyr Koni si dhe ka kanosur rektorin Dhori Kule.
Përveç Emiljano Shullazit nën gjykim do të jenë edhe shoku i tij Gilmando Dani, nipi i tij Endrit Zela si dhe Blerim Shullazi e Endrit Qyqa.