TIRANE– Kreu i KQZ, Klement Zguri i propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes së 18 majit Rama-Basha ka folur për procesin zgjedhor si dhe rinumërimin e 64 kutive të Tiranës pas kontestimeve të PDIU dhe PS.
“Gabimet ishin për shkak të komisionerëve të patrajnuar mirë dhe kjo është e pafalshme. Votat përfunduan më vonë në Tiranë në krahasim me qarqet e tjera. Pas rinumërimit nuk kishte ndryshime mandati dhe kjo nuk e cenon procesin zgjedhor. Por sigurisht është alarm dhe gabimet nuk duhet të përsëriten”- tha Zguri.
Ndërkohë sa i përket refuzimit të kërkesës së PDIU për rinumërimin e kutive në gjithë qarkun e Tiranës, Zguri tha se kërkesa u refuzua pasi nuk kishte fakte dhe prova për hapjen e kutive.
“Profesionalisht do ishte shumë e ulët. A ka gjykim pa mosmarrëveshje. Në Tiranë nuk kishte asnjë ankimim nga asnjë komisioner. Nuk i druheshim lodhjes, por si mund të hapet një qark pa pasur prova dhe fakte? Ose një shënim se ka pasur neglizhencë nga komisionerët apo nga numëruesit”- tha Zguri, raporton ‘BalkanWeb’.