Policia italiane zbardh detaje nga operacioni “Iliria” i cili gjatë ditës së djeshme çoi në ekzekutimin e urdhër-arrestit ndaj 8 personave, 5 shtetas italianë e 3 shtetas shqiptarë nën akuzën e trafikut të drogës, e armëve.
Sipas policisë italiane ky grup kriminal drejtohej nga shqiptarët Roland Lame 47 vjeç e djali i tij Fabio Lame 25 vjeç.
Ishin pikërisht ata që mbanin kontakte me trafikantët në Shqipëri e organizonin importimin e drogës drejt Italisë, në rajonin e Pulias.
Operacioni “Iliria” mundi të sekuestrojë një sasi droge në një magazinë nën pronësi të anëtarëe të kësaj bande, në komunën Toritto në provincën e Barit.
Ndërsa arsenali i armëve e tritoli u zbulua në qytetin e Brindisit.
Në kuadër të operacionit “Iliria”, hetimet e të cilit kanë nisur më vitin 2013, Policia Financiare e Barit me 11 qershor të 2014 sekuestroi në bordin e një skafi model “Italcraft 35” me 2 motorë të fuqishëm, rreth 1 ton drogë me një vlerë tregu prej 10 milionë euro.
Nën arrest përfunduan 2 skafistët, shqiptari S.L 24 vjeç e italiani D.C 45 vjeç.
Policia italiane ka informuar se nga 8 urdhër arrestimet e lëshuar dje në kuadër të operacionit “Iliria” janë ekzektuar vetëm 3 prej tyre, 5 personat e tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni “Iliria” ka çuar në sekuestrimin e 1.218 kg marijuanë, 20 kg përzierës droge, 4.5 kg tritol, 1,143 kg heroinë e kokainë, një armë AK-47 “Kalashnikov”, 170 plumba e 47 kapsula detonatorë.