Me 78 vota pro Kuvendi i Kosovës ka vendosur rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa duke e dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, që sipas të gjitha gjasave do të zhvillohen në qershor, ndërsa data do të vendoset nga Presidenti Thaçi.
Seanca në Kuvendin e Kosovës ka qenë e tensionuar, pasi Partia Demokratike ka bashkuar votat me opozitën duke votuar pro mocionit që inicioi Fatmir Limaj.
Mes dy forcave kryesore të qeverisë së Kosovës PDK dhe LDK pati mjaft debate në parlament, ndërsa në fund e fituar doli opozita që ia arriti qëllimit për rrëzimin e qeverisë.
Rrëzimi i qeverisë e fut Kosovën në një tjetër spirale krize, pasi me rrëzimin e qeverisë bllokohet kalimi i demarkacionit dhe rrjedhimisht liberalizimi i vizave me BE.
Mustafa: Rrëzimi, lojë politike
Kryeministri Isa Mustafa e ka cilësuar mocionin si një pamflet politik që nuk ka asnjë bazë.
Mocioni dhe nënshkrimi i tij nga deputetët, ka theksuar Mustafa është “një lojë politike dhe ka si qëllim fshehjen e adresave për krimet dhe aferat korruptive”.
Sipas Mustafës, sukseset e qeverisë nën udhëheqjen e tij ishin të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Vetëvendosja: Jo bashkëpunim me LDK dhe PDK
“Isa Mustafa nuk mund të jetë partner i bashkëpunimit të qeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje, po ashtu edhe PDK.
Me atë që dëgjuam sot në Kuvend, mjafton për të kuptuar se nga kush qeverisej Kosova.
Rrëzimi i qeverisë ishte në interesin e qytetarëve të Kosovës” deklaroi kryetari i grupit të Vetëvendosjes, Konjuca.
Limaj: Mocioni u votua, hapet rruga për zgjedhje të parakohshme
Fatmir Limaj, pas votimit pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, ka thënë: “Tani më përfundimisht ofrohet rrugë për zgjedhje të parakohshme”.
Nismëtari i mocionit të mosbesimit, Limaj ka falenderuar të gjithë deputetët që votuan pro rrëzimit të qeverisë së Mustafës.