PD nuk tërhiqet nga protesta dhe kërkesa për qeveri teknike edhe pas mesazheve të Ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel. Në fjalën e mbajtur në mbrëmje në çadrën e ngritur para Kryeministrisë, Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se nuk ka kthim pas.
“Nuk ka forcë mbi dhé dhe forcë mbi tokë që ta bëjë Lulzim Bashën që të shkelë me këmbë vullnetin tuaj dhe sakrificën tuaj. Kjo iu nderon si qytetarë, si prindër, si të rinj dhe të reja dhe na nderon të gjithëve si demokratë për t’i qenë në krye Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk do humbasim durimin me miqtë tanë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ne do ja dalim për tek ëndrra jonë për Republikë të re”, tha Basha.
Ai theksoi se opozita do vijojë të shpalosë të vërtetat para miqve, duke iu referuar ndërkombëtarëve.
“Ne jemi të vendosur që së bashku me ju, orë për orë dhe ditë për ditë do të shpalosim para miqve tanë të vërtetat. Pa i njohur këto të vërteta askush nuk e ndihmon Shqipërinë. Nuk ka rrugë tjetër deri në krijimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira. Ka vetëm një rrugë. Shushunjat e republikës së vjetër u them që të mos hanë mjaltë kaq shpejt. Ne nuk kthehemi pas me partinë e krimit dhe të korrupsionit”, tha Basha.