Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim dyorësh me senatorin amerikan John McCain.
“120 minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet , shkruan Rama në Facebook, ndërsa tregon edhe një dhuratë të veçantë që i ka bërë senatorit amerikan.
“Vizita e Senatorit John McCain më dha mundësinë t’i dhuroja këtë liberth të një kohe të shkuar duke medituar fjalët që ky mik i madh shqiptoi në Kosovë se sa absurde do kishte qënë që miqtë e sotshëm të ishin vrarë dje mes njëri-tjetrit.
Dedikimi:“Ekzemplar i rrallë i një doracaku mbi aeroplanët dhe helikopterët e “armiqve” të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, shtypur nga Ministria e Mbrojtjes popullore, për përdorim sekret nga kuadro të lartë të ushtrisë, në Tiranë, 1977. Në brendësi (f. 29) shfaqet avioni A-7E CORSAIR II, të cilin e ka pilotuar një mik i madh i shqiptarëve, senatori i ardhshëm John McCain, gjatë karrierës së tij të shkëlqyer në Marinën amerikane.
Si kujtim për një kohë të harruar, në shërbim të një miqësie jetëgjatë”.