Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lerë të lirë ish–drejtoreshën dhe 2 punonjëse të Shtëpisë së Fëmijës të këtij qyteti, të arrestuara vitin e shkuar, për akuzën e shpërdorimin e detyrës dhe keqtrajtimit të të miturve.
Togat e zeza vendosën këtë të enjte që të ndryshojnë masën e sigurisë, në “detyrim paraqitje” për ish–Drejtoreshën Albana Llazani dhe ish – punonjëset Najada Rramolli dhe Rafaela Camaj.
Ato u arrestuan më 18 Maj të 2016-ës, me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, sëbashku me 2 persona të tjerë, pas sinjalizimit nga institucioni i Avokatit të Popullit, se kishte të dhëna që fëmijët e kësaj qendre abuzoheshin.
Nga hetimi i Prokurorisë rezultoi se 3 vajza të mitura të moshës 6, 11 e 12 vjeç ishin abuzuar seksualisht dhe fizikisht.
Punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës, sipas akuzës, kishin neglizhuar kryerjen e detyrës së tyre dhe për këtë arsye tre të miturat kishin rënë pre e dhunës seksuale.
Kjo sipas Prokurorisë vërtetohej edhe nga akt–ekspertimi i kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Me vajzat, sipas hetimit, ishte abuzuar gjatë ekskursioneve që shtëpia organizonte. Gjatë këtyre udhëtimeve, grupit iu ishin bashkuar edhe djem të punonjësve të Shtëpisë së Fëmijës, të cilët kishin abuzuar me të mitura.