Kryedemokrati Lulzim Basha edhe sot nga çadra e protestës, e cila ka hyrë në ditën e 47-të, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin për t’i shkuar deri në fund qëllimit të saj, deri në realizimin e kërkesës për qeveri teknike, ndërsa iu përgjigj edhe ftesës së mbrëmshme të kryeministrit Rama për tu ulur në një tryezë dialogu. Sipas Bashës, një gjë e tillë ndodh vetëm nëse diskutohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Nëse do ketë dialog politik ky nuk do kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanëve të opozitës dhe mazhorancës, por do jetë dialog politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dialog për një Republikë të Re”,- tha ai.
Sipas Bashës, “Republika e Re fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Republika e Vjetër është komploti më i madh ndaj qytetarëve shqiptarë, bëjnë teatër kukullash nga mëngjesi deri në darkë që të zhvatin shqiptarët, komplot ndaj çdo qytetari. Para se të tjerë komplot politik, Republika e Vjetër është një komplot ekonomik”,- tha Basha.
Kreu i PD-së foli më tej për një grusht pushtetarësh që pasurohen në kurriz të popullit. Kjo klikë, sipas tij, do të ruajë këtë gjendje, “ta mbrojë me çdo kusht, se kjo është zgjedhja që ju mbron pasuritë dhe pasurimin kriminal që të vazhdojnë të vjedhin përmes tenderave, që të vazhdojnë të vjedhin përmes koncesioneve fantazëm”.
Ai nuk nguroi ta quajë kryeministrin Rama dhe ministrat e qeverisë “hajdutë” dhe përfaqësues të Republikës së Vjetër që “kanë një mision, të mbajnë me çdo kusht pushtetin që të vazhdojnë të vjedhin me çdo kusht Shqipërinë. E vetmja mundësi për tu përballur me këtë gjendje aktuale me këtë komplot politik dhe ekonomik, e vetmja forcë që mund ta përmbysë jeni ju, është bashkimi i qytetarëve shqiptarë”,- vijoi kryedemokrati.
Ai shtoi më tej se, populli i ngritur në këmbë është gati të marrë fatin e vetë në dorë dhe se nuk pranon pazare
“Sot njësoj se këto 47 ditë jam që i vendosur se e di që në këtë përballje nuk përfaqësoj as hallin tim, interesat e një partie por interesat e gjithë shqiptarëve të ndershëm, që janë forca, siguria, bekimi i Republikës së Re që po vjen”,- shtoi Basha.