Quantcast
Channel: Aktualitet – Tirana Observer
Viewing all articles
Browse latest Browse all 4640

Banda e tritolit/ Julian Sinanaj: Kush e porositi minën tek prefekti i Vlorës

$
0
0

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda dënoi me 30 vjet burg Julian Sinanajn, protagonistin e “bandës së tritolit”. Sinanaj fitoi gjatë procesit në shkallën e parë statusin e të penduarit, ndaj ju shmang burgimit të përjetshëm.

“Banda e tritolit” me 7 persona dhe rreth 38 akuza u gjet fajtore për disa vrasje, shkatërrim prone, atentate me tritol, armë pa leje, etj.

GSH.al zbardh pjesë nga dëshmia e Sinanajt në prokurori: në këtë rast ai tregon detaje për porosinë e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi e cila u gjet rastësisht nga punonjësit e Gardës që kontrollonin makinën e tij, te hynte në kryeministri.

Në këtë rrëfim, Julian Sinanaj drejton gishtin drejt Marjon Mitros, si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua në makinën e prefektit të Qarkut Vlorë, Besnik Dervishi.

Sinanaj u ka rrëfyer hetuesve për këtë rast, se me Marjon Mitron (u dënua me 8 vite) ka komunikuar përmes e-mailit dhe pasi e ka prodhuar minën me telekomandë, ia ka dorëzuar 42-vjeçarit. Kjo minë, këmbëngul Sinanaj, është pikërisht ajo që u zbulua në makinën e prefektit Dervishi.

 

DESHMIA E SINANAJT KUNDER MARJON MITROS

Prokuroria ka pyetur në cilësinë e personit rreth të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Julian Sinanaj ka deklaruar me porosinë e Marjon Mitro prej tij është tentuar të vritet Julian M., eksponent i botës së krimit në zonën e Vlorës.

Njëkohësisht në deklarimin e datës 27 janar 2014 të personit nën hetim, Julian Sinanaj, ka dëshmuar se sasia e lëndës eksplozive e përgatitur për shpërthim me anë të një telefoni celular të lidhur me të në mjetin e Besnik Dervishit është kryer pikërisht nga ana e tij me kërkesën e Marjon Mitros, person i cili sipas dëshmisë së Julian Sinanaj, ka porositur këtë minë me telefon në javën e parë të muajit dhjetor 2013 në Tiranë.

Marjon Mitro

Vetë Julian Sinanaj ka dëshmuar se ka komunikuar me Marjon Mitron në e-mail dhe pasi është porositur mina me telekomandë, kjo minë është prodhuar në mënyrë artizanale nga Julian Sinanaj, i cili e ka blerë telefonin dhe kartën tek tregu çam në fillim të muajit dhjetor 2013. Pasi ka mundësuar prodhimin e kësaj mine, Julian Sinanaj ka dëshmuar se ka njoftuar Marjon Mitron të vinte të merrte minën në Tiranë. Në fillim të muajit dhjetor 2013 ka ardhur në Tiranë Marjon Mitro, i cili e ka marrë minën dhe me datë 13 janar 2014 pikërisht kjo minë e telekomanduar me telefon është gjetur e vendosur në automjetin e Besnik Dervishit, prefekt në rrethin e Vlorës.

I pyetur rreth këtij fakti, Julian Sinanaj është kategorik në deklarimin e tij kur thotë se mina e vendosur në automjetin e Besnik Dervishit është ajo e prodhuar prej tij për llogari të Marjon Mitros, i cili ka ardhur dhe e ka tërhequr këtë minë në Tiranë në fillim të muajit dhjetor 2013. Njëkohësisht Julian Sinanaj deklaron se Marjon Mitro në bashkëpunim me një biznesmen me emrin Ardi kanë paguar me ndërmjetësimin e Andos Alias Erjon Mëhillajt, Julianin të vriste në Vlorë, Julian M., i njohur si subjekt me precedentë kriminale në rrethin e Vlorës.

KERKESA PER MINEN E DERVISHIT

Kam për të sqaruar se diku rreth 6 javë para se të ndodhte ngjarja me prefektin e Vlorës, ngjarje e cila ka ndodhur tek Kryeministria në Tiranë, (fakt të cilin unë e kam mësuar përmes televizorit), nga ana e shtetasit M. M. më është kërkuar me SMS në draft se ai kërkonte një aparaturë me celular që të kryente shpërthim në distancë. Këtë bisedë M. me G. ma kishin bërë edhe njëherë tjetër gjatë kohës që isha në Vlorë, bisedë të cilën unë nuk e kisha vlerësuar serioze, pasi e kisha menduar si një presion indirekt që më bënin mua për moskryerjen e vrasjes se J. M. që unë kisha marrë përsipër. Në momentin që pashë se kërkesën për telekomandë e bëri përsëri M. M., nëpërmjet SMS në e-mail, atëherë mendova të shfrytëzoja rastin që të hiqja një farë detyrimi nga shuma që kisha. Më kujtohet se ngjarja ka ndodhur në mesin e muajt dhjetor 2013, unë në atë kohë isha në Tiranë. Komunikimet me M. unë kisha disa kohë që i bëja, që kur isha në Vlorë, ku në komunikimet me të e mbaja me shpresa, sa të mbaroja tapinë e dyqanit. Në momentin që unë erdha në Tiranë, M. M. dhe Y. kërkonin që unë t’i ktheja dyqanin, pasi nuk i kisha kryer punë. Kërkesën e M. për telekomandën unë ja vlerësova me shumën 20.000 euro, pazar për të cilin ai mu shpreh “Mirë se do rregullohemi, por më gjej telekomandën”. Pas kërkesës së M., unë fillova të interesohesha, ku kam dalë dhe kam blerë një celular tip “Samsung” me ngjyrë të zezë tek tregu që ndodhet pranë PTT, Postës Shqiptare.

“SI E PRODHOVA BOMBEN”

Unë gjatë këtyre kohëve në shtëpi disponoja 3-4 celularë pothuajse të përgatitur si telekomandë, por kërkova që të isha më i sigurt dhe për këtë gjë kam shkruar dhe kam blerë një celular të ri, i cili në dukje ishte pak i përdorur, ku vlera e blerjes nuk më kujtohet saktësisht, por mendoj se diku 15-20 mijë lekë. Këtë celular e kam blerë tek një person që shiste në anë të trotuarit, ku kujtoj se ai ishte diku i moshës 30 vjeç. Ishte në dukje pak më i gjatë se unë, rreth 175 cm, me trup fizik normal, person të cilin nuk e njihja më parë, por nëse më paraqitet për njohje mendoj se jam në gjendje ta njoh. Pasi kam blerë celularin “Samsung”, kam kërkuar që të blej edhe kartën SIM, të cilën ja kam blerë një personi tjetër, ku edhe këtë nuk e njihja dhe nuk e kam fiksuar si atë të celularit. Dua të sqaroj se kohën e saktë të blerjes së celularit dhe kartës nuk e kujtoj, por mendoj se duhet të ketë qenë në muajin Dhjetor 2013, një javë ose një javë e gjysmë përpara se të ndodhte ngjarja që u dha në media. Pasi kam blerë kartën dhe celularin, kam shkuar tek shtëpia, ku atje kam filluar të bëja përgatitjen e aparaturës me celular. Kujtoj se fillimisht kam matur voltazhin e aparatit celular, që mesa kujtoj ka qenë 4.2 volt, sado që bateria në të dhënat e saj paraqet treguesin 3.7 volt. Këtë aparaturë e kam krijuar pa përforcues voltazhi (bateri tjetër të jashtme), pa ndonjë rele tjetër të jashtme, dhe kam krijuar lidhje të drejtpërdrejta nëpërmjet aplikimit tek opsionet me dridhje që i jep voltazh mekanizmit të dridhjes së celularit.

Aty kam bërë pikime me avi, duke nxjerrë dy fije për të mundësuar lidhjen e tyre me dy kapsolla elektrike. Ndërtimi në këtë mënyrë i aparatit nga ana ime u bë për arsye që ajo të paraqiste vështirësi për të mosfunksionuar. Nuk më kujtohet nëse kam vendosur apo jo kartën në këtë celular natën që e kam blerë, por mbaj mend që në momentin kur kam vendosur në aparatin telefonik kartën e telefonit nuk e kam provuar pasi nuk doja që telefoni të aktivizohej me SMS. Pasi kam ndërtuar celularin që duhej, i kam dërguar informacion së bashku me koordinatat e takimit M., të cilën e kam bërë nëpërmjet komunikimit me e-mail tek rubrika “draft” në të cilën paraqisja datën, orën dhe vendin e takimit.

“DOREZIMI I BOMBES ME CELULAR”

Pasi SMS i dërguar në “draft” u mor nga M., edhe ai më ktheu përgjigje se do të vinte të merrte aparatin celular të përgatitur për shpërthim, tek vendi i takimit. Dita dhe data e takimit me M. është realizuar tek “Zogu i Zi”, diku në mëngjes rreth orës 5:30 -6:00, ku ende nuk ishte zbardhur plotësisht. Në vendin e takimit kam shkuar i pari unë, ku më parë kam kontrolluar e kam vlerësuar takimin, duke marrë me vete dhe pistoletën. Pasi u takova me M. pashë se ai ishte i vetëm, në këmbë dhe unë isha duke e pritur në anë të rrugës. Me t’u takuar me M. i kam dhenë celularin të cilin e kisha vendosur brenda një qeseje plasmasi, i tregova se si duhet të bënte të mundur përdorimin e saj. I shpjegova se dy fijet që kisha nxjerrë nga celulari duhet t’i lidhte me dy kapsollat elektrike që ndodheshin të montuara pas trupit të celularit. I tregova se lëndën eksplozive duhet ta vendoste vetë pas trupit të celularit, ku shpjegime të tjera në lidhje me montimin e saj pas trupit ku do të vendosej i kisha dhënë si atij dhe G. që në takimet që kishim pasur në Vlorë, ku ata më kishin pyetur kur ishte diskutuar për minat celular. Dua të sqaroj se në takimin në Vlorë i kisha treguar se si ngjitës i mirë dhe praktik mund të përdorej silikoni ose ndonjë lloj ngjitësi tjetër që kishte po të njëjtin efekt.

“MOS E NGJIT ME MAGNET, KRIJON FUSHE MAGNETIKE”

E kisha këshilluar se ngjitja me magnet nuk ishte shumë praktike sepse ndikonte tek efikasiteti i celularit duke krijuar fushë manjetike. Në takimin me M. u mundova të ndahesha sa më shpejt duke i dhënë stres për policinë që ai të mos hapte bisedat e dyqanit. Jemi ndarë nga njëri-tjetri pa zgjatur bisedat ku unë lashë që ai të largohej i pari. Nga ai moment M. është larguar dhe unë nuk kam komunikuar më me të në e-mail. Për sa i përket adresës elektronike ku unë komunikoja me të, atë e kisha krijuar në Vlorë që në kohën që merresha me përgatitjen për vrasjen e J. M.. Adresa që komunikoja me të mund të ketë qenë “m.k.@mail ose gmail” ose M.@…, për të cilën nuk jam i sigurtë sepse atë e kam fshirë në kohën që mësova për ngjarjen e prefektit Dervishi. Një javë ose një javë e gjysmë pas dhënies së celularit M. M. unë kam dëgjuar ngjarjen e prefektit Dervishi që ndodhi në Tiranë, ku ishte gjetur mina celular poshtë makinë së tij. Kjo ngjarje më bëri përshtypje dhe më bëri të dyshoj për ngjashmërinë e të dhënave që kishte aparatura e gjetur me atë të ndërtuar prej meje, që unë i kisha dhënë M.. Pra, kur unë dëgjova se telefoni i gjetur tek makina ishte “Samsung”, ishte me dy kapsolla, përkonte në kohë me celularin që kisha përgatitur një javë ose një javë e gjysmë para ngjarjes, si dhe për faktin se M. punonte tek ndërtimorja në Vlorë, ku ishte me detyre edhe prefekti, dyshova se ishte pikërisht aparati i ndërtuar prej meje. Në lidhje me aparaturën që unë kam krijuar dhe i kam dhënë M., jam i gatshëm që përpara programit të procedimit të përgatis edhe njëherë atë siç e kisha krijuar aparaturën që i dhashë M.. Këtë aparaturë unë e kam krijuar tek shtëpia që ndodhet në afërsi të “21 Dhjetorit” ku tavolina e shtëpisë ku qëndroja ka të mbartura djegie të bëra nga ana ime nga pakujdesia gjatë kohës që punoja me havi. Pasi kam mësuar për ngjarjen e prefektit Dervishi, kam hequr nga të dyja shtëpitë disa nga aparaturat që unë përdorja për të punuar telekomandat, të cilat i kam flakur. Po ashtu kam marrë masat dhe kam hequr e-mailin që kisha me M. duke mos komunikuar më me të në asnjë lloj forme. Dua të sqaroj se në lidhje me personin e njohur prej meje me emrin I. K., unë gjatë shoqërimit tim në polici, kam bërë njohjen e tij kur fotoja e tij më është paraqitur ndërmjet fotove të personave të tjerë. Në këtë veprim kanë qenë të pranishëm edhe prokurorët.

PYETJE-PERGJIGJE ME PROKURORET

Pyetje: Çfarë numrash celularësh keni përdorur ju gjatë këtyre viteve të qëndrimit në Shqipëri dhe në emër të kujt kanë qenë të regjistruar ato. Po shtetasit M. M., E. M., G. M., N. Gj., X., çfarë numrash telefoni kanë pasur kur komunikonin me ju?

Përgjigje: Unë kam pasur në përdorim shumë numra, kryesisht mbaja numra xxx sepse përdorja ofertat që jepte kjo kompani. Nuk i kujtoj numrat e tyre, por disa prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar nga policia. Përsa i përket numrave të telefonit të përdorur nga personat e mësipërm, për momentin nuk i kujtoj numrat e tyre, por di se ato janë të regjistruar në aparatet e mia të celularëve, si dhe në blloqet e shënimeve që kam pasur.

Pyetje: Gjatë verifikimeve të kryera në banka të nivelit të dytë rezulton se gjatë vitit 2012-2014 keni depozituar shuma të ndryshme lekësh dhe eurosh ku pjesë prej të cilave i keni transferuar edhe jashtë shtetit. Çfarë përfaqësojnë këto shuma, ku i keni marrë ato, cilët janë personat që i keni transferuar pjesë të tyre?

Përgjigje: Në lidhje me sa më pyesni dua t’ju sqaroj se burimi i tyre ka qenë si rezultat i punës që unë kam kryer gjatë kohës që kam qenë në emigracion në Greqi. Gjithashtu një pjesë e këtyre shumave u përkasin pagesave që kam marrë nga persona për të cilët kam kryer aktivitetin tim kriminal që deklarova më sipër. Konkretisht 15.000 euro të apartamentit që kam shitur në Orikum, të cilën ma dhanë E. M., G. M.. Po ashtu, 10.000 eurot që i kam dërguar bashkëshortes sime Elefteria P. nga shuma e 50 mijë eurove që më ka dhënë I.K. për vrasjen e biznesmenit me të cilin ai kishte konflikte.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 4640

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>