Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë angazhimin e qeverisë që ai drejton për të nisur me zbatimin e ligjit të vendit. Në komunikimin javor në “Facebook”, kreu i Qeverisë ka theksuar se tani është koha për vendosur një drejtësi të re, duke filluar me zbatimin e reformës në drejtësi, e konkretisht me ligjin e vettingut.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Jemi në rrugën e duhur për të bërë shtet. Tashmë ka nisur aksioni për të luftuar kanabisin në çdo cep. Policia ka bërë mbi 3 mijë kontrolle në të gjithë vendin. Ka nisur lufta ndaj evazionistëve të mëdhenj. Arsimi profesional po rilind, investimet janë rritur. Për më shumë zhvillim na duhet reforma në drejtësi. Pallatin e vjetër të drejtësisë e shemb vettingu. PD nuk mund të fshihet në çadrën e saj për pushtet”, tha kryeministri Rama.
Duke u ndalur tek protesta e opozitës dhe kërkesat e saj për qeveri teknike, kryeministri Rama tha se PD po kërkon pushtetin në tavolinë. Referuar atyre që i cilësoi si “ultimatume” të PD, Rama bëri një krahasim “është njësoj si të ngjitesh majë një pallati, e të kërkosh: ose më jepni çelësat e gjithë pallatit, ose do hidhem”.