Vjedhja e fundit e një makine të transportit të parave në rrugën që të çon në Rinas gjatë ditës së sotme është e katërta brenda një harku të shkurtër kohor prej gati dy vitesh dhe ka ngritur pikëpyetje të shumta lidhur me masat e sigurisë të transportit fizik të parave.
Bankierët pohojnë se ky është një shqetësim i madh për sistemin, pasi krijon pasiguri të lartë dhe rrit kostot, pasi këto janë humbje të drejtpërdrejta. Kjo rrit pasigurinë e bërjes së biznesit dhe e shoqëron atë me kosto shtesë.
Ekspertët të sigurisë së bankave, të kontaktuar nga ‘Monitor’ pohojnë se vjedhjet që po ndodhin së fundmi janë të një niveli tjetër në raport me tradicionalen.
Sipas tyre, edhe vjedhja e fundit është mënyrë e sofistikuar, e organizuar jo nga diletantë. Ata shtojnë se duhet të ketë më shumë vëmendje nga strukturat shtetërore. Të paktën për lëvizjet e automjeteve drejt Rinasit duhet të organizohen grupe shoqërimi nga policia.
Ata tërheqin vëmendjen se si mund të ndodhë grabitja disa herë në të njëjtin segment dhe ende nuk është marrë ndonjë masë për të rritur masat e sigurisë.
Ekspertët e sigurisë pohojnë se pas ngjarjeve të fundit (në verë të vitit të kaluar një automjet u grabit brenda ambienteve të aeroportit) ka pasur përpjekje që do strukturojë lëvizjen e mjeteve, por kjo ka një kosto të lartë ekonomike. Një makinë e mirë e blinduar e përdorur) kushton mbi 200 mijë euro dhe përbën kosto të lartë për kompanitë.
Teksa përpjekjet për të përmirësuar sigurinë e transportimit të parave janë ende në proces, ekspertët pohojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte shoqërimi i tyre me automjete të policisë në rrugën e Rinasit.
Si bëhen transferimi i parave jashtë vendit
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Transaksionet e këmbimit të kartëmonedhave jashtë vendit janë një tjetër veprim që kryhet shpesh nga bankat dhe kërkon transferim parash jashtë vendit.
Po si kryhet fizikisht ky transferim. Ekspertë të sigurisë bankare kanë shpjeguar për “Monitor” se kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike. Korniza ligjore, që zbatohet, është një udhëzim i ministrit të Brendshëm dhe Ligji i Shërbimit Privat i Sigurisë Fizike (SHPSF), i 2014-s i bërë rishtazi. Mbi bazë të këtyre dy dokumenteve, bankat lidhin aktmarrëveshjet me SHPSF-të, pra legjislacioni është i qartë në këtë drejtim.
Përgjithësisht bankat, për të qenë të sigurta gjatë procesit të transferimit, çojnë edhe punonjës të tyre, ose ka të tjera që ia besojnë tërësisht kompanisë së sigurisë fizike. Kjo varet nga marrëdhënia kontraktuale. Policia e Shtetit nuk lajmërohet për këtë proces, vetëm Banka e Shqipërisë njofton policinë për lëvizjet e parave.
Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipëri për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane. Këto monedha i tregtojnë në Bankat Rajonale, zakonisht në Vjenë, por edhe Credit Swiss Zyrich, duke i konvertuar në Euro ose Dollar, të cilat ose i sjellin mbrapsht fizikisht në Shqipëri, ose i kreditojnë në llogaritë me bankat korrespondente në Austri apo Zvicër, në varësi të Bankës që bën marrëveshjen. Ky është një transaksion i thjeshtë këmbimi cash. Bankierët pohojnë madje se këto transaksione të këmbimit të kartëmonedhave janë më të shpeshta.
Transporti bëhet me Cargo Ajrore, që është shërbim që e ofrojnë kompanitë ajrore e quhet “High Value Cargo Service”. Ky është një shërbim i shtrenjtë, si rrjedhojë transaksioni i këmbimit bëhet me vlera të mëdha që të jetë i leverdishëm./Monitor