Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhwnw profilet e dy ekspertëve amerikanë, që do të jenë pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të sjellë ekspertë amerikanë përgjatë gjithë procesit të monitorimit.
“Z. Peter Ainsworth dhe Z. John Vaudreil do të jenë pjesë e fazës fillestare”- njofton ambasada.
Z. Peter Ainsworth është Këshilltar i lartë Kundër Korrupsionit për Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara.
Ndërmjet 1997 dhe 2011, Ainsworth ka qenë Zv. Shefi i Sektorit për Integritet Publik në Departamentin e Drejtësisë, sektori kryesor i prokurorisë së qeverisë për hetime kombëtare dhe ndërkombëtare mbi korrupsionin publik, ligjet elektorale, dhe shkeljet e konfliktit të interesit.
Z. Ainsworth ka një eksperiencë të gjatë si këshilltar ndërkombëtar në çështjet e zbatimit të ligjeve kundër korrupsionit, dhe ka qenë delegat i Departamentit të Drejtësisë në konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.
Z. Ainsworth është diplomuar në Universitetin e Chicagos dhe në fakultetin e drejtësisë së Universitetit Georgetown, si dhe ka ushtruar profesionin e tij qysh prej 1985.
Mr. John W. Vaudreuil është Përfaqësuesi Ligjor për distriktin perëndimor të Wisconsin. Ai ka shërbyer si prokuror federal qysh prej 1980.
Gjatë karrierës së tij, Z. Vaudreuil, ka punuar në mijëra çështje kriminale, përfshirë dhe ato të korrupsionit publik. Në gusht 2010, ai u emërua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të qenë Prokurori Federal Kryesor në distriktin e tij.
Z. Vaudreuil ka marrë doktoraturën në jurispridencë në fakultetin e drejtësisë së Universitetit të Wisconsin, ku edhe ka dhënë mësim.
Qysh prej 2011, Z. Vaudreuil ka udhëtuar shpesh si lektor ndërkombëtar për çështjet e zbatimit të ligjit.