Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar standarde europiane për policitë private.
Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqërive private të sigurisë publike, Tahiri tha se përmirësimi i standardeve për policinë private duhet të nisë nga pagat e 9000 punonjësve.
Tahiri kërkoi nga shoqëritë private të respektojnë ligjin për pagat minimale. Sipas tij, nuk duhet të ketë punonjës të policisë private me pagë më të vogël se 350 mijë lekë në muaj.
“Zbatoni detyrimet ligjore dhe kontraktuale me kompanitë. Brenda një muaji secili të përmbushë detyrimin ligjor duke paguar me minimumin që përcakton ligji për çdo punonjës. Kështu iu themi shqiptarëve se ofrojmë një standard më të lartë sigurie, pra që 9000 punonjësit e policisë private paguhen minimalisht nga 330 mijë lekë në muaj. Realiteti juaj në letra është siç e kërkon ligji, e vërteta është se ka punonjës që paguhen as sa gjysma e asaj që përcakton ligji. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Kemi të gjitha mundësitë që të ofrojmë më shumë siguri, standarde cilësore, në raport me punën që bëni për qytetarët, bizneset dhe sigurinë e përgjithshme”, u shpreh Tahiri.
Ministri i Brendshëm theksoi se kontratat e shoqërive private të sigurisë arrijnë deri në 20 milionë euro në vit, buxhet i cili kalon atë të Policisë së Shtetit.
“Kontratat tuaja në një vit shkojnë mbi 20 mln euro, pagesë kjo që kapërcen disa herë buxhetin e Policisë së Shtetit. E tillë është marrëdhënia ndërmjet nesh dhe mes jush e privatëve, por kjo është e pafalshme që ky potencial të shndërrohet në përfitim në disa xhepa dhe të mos shkojë aty ku ka nevojë. Jemi në dispozicionin tuaj, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit për të bërë një shtet më të fortë, institucione më të forta, për më shumë siguri për qytetarët, duke bashkëpunuar me ju dhe duke konsideruar çdo hapësirë si një mundësi për të pasur cilësi më të mirë”, theksoi Tahiri.