Nga Antigoneja në Gjirokastër Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të dorëzojnë armët.
“Tani unë dua të falënderoj të gjithë banorët. I janë përgjigjur në mënyrë shembullore thirrjes sonë për të dorëzuar armët. Kemi miratuar amnistinë në Parlament. Ndaj nga këtu, nga njësia e Antigonesë, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve në gjithë Republikën e Shqipërisë të dorëzojnë armët”, tha ministri.
Tahiri tha se plagët që la viti 1997 duhen shëruar që e ardhmja të jetë më e mirë për brezat që vijnë.
“Ne kemi detyrimin të shërojmë një sëmundje të cilën Shqipëria e ka në kurriz nga viti 1997. Ne kemi detyrimin të punojmë sot që të garantojmë një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë”, deklaroi Tahiri.
Kanë qenë tre persona që kanë dorëzuar armët e tyre, veprim që ministri e ka cilësuar si një mesazh të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.
Sipas Tahirit armët janë burim pasigurie dhe një arsye më shumë për të pasur konflikte.
“Dhe unë jam shumë i sigurt që të tre zotërinjtë këtu që dorëzuan armët sot, u kanë dhënë një mesazh shumë të mirë të gjithë qytetarëve shqiptarë në mbarë vendin. Por mbi të gjitha, kanë hedhur një hap jo të vogël për të garantuar që fëmijët e tyre dhe fëmijët në gjithë këtë zonë të kenë një të ardhme më të mirë. Armët janë premisa më e madhe për të pasur më shumë pasiguri. Vetëm vitin e kaluar, pjesa dërrmuese e konflikteve që kemi pasur kanë qenë për motive të dobëta, pra dy qytetarë që në gjaknxehtësi e sipër kanë përdorur armët. Kjo është e patolerueshme dhe e palejueshme në Shqipërinë që duam”, tha Tahiri.
Tahiri ka theksuar se Shqipërisë nuk i duhen armët, por kultura librat dhe sporti, ndaj kushdo që ka një të tillë në shtëpi duhet ta dorëzojë sepse sipas ligjit askush nuk do të dënohet.
“Dorëzoje! Policia është në shërbimin e çdo qytetari për të garantuar që armët të dorëzohen dhe që të ndërtojmë bashkë qytete dhe komunitete të sigurta, pa armë. Na duhet një Shqipëri pa armë.
Na duhet një Shqipëri e kulturës, e librave, e sportit, por nuk na duhet një Shqipëri me armë. Ka 20 vite, që nga viti 1997, që Shqipëria e ka këtë problem me armët e paligjshme që gjenden në duar të qytetarëve. Sot, ato (armët) duhet të jenë pjesë e një problemi që duhet ta lëmë pas, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Ndaj dorëzimi vullnetar i armëve është rruga e duhur për të ndërtuar Shqipërinë që duam. Dua t’i falënderoj edhe një herë zotërinjtë që dorëzuan vullnetarisht armët. Ky do jetë një aksion në të gjithë Shqipërinë. Policia do të trokasë derë më derë në të gjithë Shqipërinë për të ftuar qytetarët të dorëzojnë armët.
Sot sipas ligjit që kemi miratuar, kush dorëzon armët nuk dënohet”, deklaroi ministri.