Analisti, Artur Zheji në një shkrim me titull “Beteja me natyrën dhe brekët e grisura të shtetit” në faqen “360gradë”, flet për mungesën e fondeve shtesë për situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi nga ulja e temperaturave.
“Askush nuk ka dijeni deri më tash se sa janë Fondet e posaçme të emergjencës, që ndonjë mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë, të ketë caktuar! Sepse mënçurisht dhe në mënyrë tinzare, qeveria ka vendosur të mos flasë për to, që të mos përgojohen, se sigurisht që do të jenë në nivele qesharake”, shkruan Zheji.
Pasi kritikon edhe opozitën për rolin e saj, Zheji thekson se mazhoranca është e fokusuar te fushata që po afron dhe jo tek situata aktuale në vend.
“Qeveria e ka mendjen te fushata që po afrohet, te deklaratat e Kokëdhimës, te dyzimi i Ilir Metës për koalicionin e ardhshëm me PS dhe qeveritarët apo opozitarët tanë, nën veshjet e ngrohta, nga zyrat e ngrohta apo nga veturat e tyre 100.000 eurshe ku plas vape, postojnë fotot e policëve apo mjekëve, që zhyten në dëborë deri në brez”, thotë ai.
Zheji e mbyll shkrimin duke thënë: Porse shpresojmë që, kujtesa e atyre shqiptarëve, që nuk do të shesin votën në Qershorin e ardhshëm zgjedhor, mban shënim, qoftë edhe duke kërcëllitur dhëmbët nga ky i ftohtë i jashtëzakonshëm dhe në mesin e një beteje të pabarabartë me natyrën e egërsuar. Ata, shqiptarët, e kanë mirë parasysh këtë shtet brekgrisur, në këtë betejë të humbur me natyrën. Një betejë e sapo filluar dhe e humbur ditë mbas dite në mënyrë të palavdishme. Ruajna Zot, që ngricat të vazhdojnë edhe në Shkurt!”