Marjan Levanti, autori i plagosjes së trefishtë dy ditë më parë ka tentuar të varë veten në dhomat e paraburgimit. Lajmin e ka dhënë vetë policia e cila ka konstatuar veprimin e 37-vjeçarit.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 1:20 të ditës së sotme. Levanti u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
Marjan Levanti shkoi në banesën e ish-bashkëshortes, Elena Kocaqi, dhe sulmoi me thikë familjarët e saj.
Policia e kryeqytetit njoftoi se ai plagosi ish-vjehrrin, ish-vjehrrën dhe ish-kunatin.
Ngjarja ndodhi në një banesë në zonën e Unazës së Re. Tre familjarët e plagosur u dërguan menjëherë në spital ku edhe ju dha ndihma mjekësore pas plagëve të marra.
Rreth dy orë pas ngjarjes, policia bëri të mundur arrestimin e 37-vjeçarit Marjan Levanti.
Autori i kësaj ngjarje nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar për plagosje dhe ka vuajtur 2 vite burg.
Elena Kocaqi i kishte kërkuar menjëherë divorcin vitin e shkuar sapo ai kishte dalë nga burgu.
Gjykata ka dhënë vendimin disa muaj më parë, por ai nuk ka qenë dakord me ndarjen e pasurisë, gjë që ka sjellë edhe ngjarjen në familjen e ish-bashkëshortes së tij.