Policia dhe FNSH kanë ndërhyrë në një magazinë në zonën e ish-pularisë në Rrëshen ku dyshohet se ka tre ton kanabis.
Burimet bëjnë të ditur se brenda magazinës u sekuestrua një sasi e konsiderueshme me drogë dhe në përfundim të operacionit, policia ndaloi 15 persona.
Në operacion u angazhuan forca nga Mirdita, Lezha dhe Tirana
Kjo sasi droge u denoncua edhe nga deputeti i PD, Flamur Noka.
Në një reagim të tijin në rrjetin social “Facebook”, deputeti demokrat Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm i qeverisë “Berisha”, ka akuzuar për përplasje dhe konflikte brenda vet policisë.
Sipas asaj që shkruan ai, pazaret e drogës nuk janë më konflikte mes bandash, por duke sjellë një rast nga magazinat e ish-Pularisë në qytetin e Rrëshenit, ai thotë se atje është zbuluar një sasi e frikshme droge.
Burime të Flamur Nokës thonë se atje gjenden rreth 3 tonë drogë brenda një ndërtese, e cila është rrethuar nga një grup i policisë “së krimit të organizuar” të Drejtorisë Lezhë.
Noka shton se Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të ndërhyjë dhe e ka braktisur operacionin, ndërkohë që edhe uniformat blu të Drejtorisë Lezhë nuk guxojnë të futen në aksion, teksa presin që të vijnë përforcime të RENEA-s.
Statusin e tij, Noka e mbyll me fjalinë “kjo është policia që duam në Kanabistan”.