Daut Gumeni, ish-i përndjekur politik që ka vuajtur rreth 30 vjet në burgjet komuniste, në këtë intervistë për ‘DITA’ komenton dekorimet që Presidenti Nishani u bëri disa ballistëve të vrarë 70 e ca vite më parë. Pse ai nuk është dakord me këtë dekorim tinëzar të Nishanit, por edhe me reagimin e Vito Kapos. Gjithashtu në këtë intervistë flitet se cilët janë garantët e reformës në drejtësi, deklarata e Ramës në Beograd dhe konflikti i stisur me Greqinë…
– Zoti Gumeni, është ngritur një stuhi e tërë lidhur me dekorimet që Presidenti Nishani u ka bërë disa ballistëve pak ditë më parë. A është e justifikuar kjo zhurmë që po bëhet dhe a janë të merituara dekoratat e Nishanit në këtë rast?
– Zhurma e madhe që bëhet këto ditët e fundit për dekorimin e 67 ballistëve të vrarë nga brigada e Mehmet Shehut në vitin 1943, duket më tepër si një lloj aperitivi i fushatës së ardhshme zgjedhore. Kam dëgjuar mjaft nga të dyja palët dhe mendoj se asnjëra nuk u ka shpëtuar dot teprimeve. Them kështu sepse kam parë dhe zanatçinj të historisë që nuk lënë kriminel ordiner të asaj kohe pa ia dhuruar Ballit Kombëtar. Sikurse të bajatisin edhe ca ballistë të emëruar nga demokratikasit tanë, kur i turren të ngarkuarit me detyrën e Presidentit dhe jo presidentit real, që dihet nga të gjithë se cili është.
Për zanatçinjtë e historisë do të thosha (doemos jo si zanatçi) që të lexojnë nganjëherë dhe Herodotin, se do të shohin sa dinjitoz është babai i historisë edhe me grekët që luftuan në krah të persëve pushtues dhe nuk u thotë as që qenë pulangrënës e as u dhuron të gjithë kriminelët ordinerë të kohës. Kurse për ballistët e emëruar nga demokratikasit vendimmarrës, do të uroja të kenë një thërrime më tepër kurajo qytetare. Aq kurajo qytetare sa të mund të mos e ngarkojnë më shumë nga sa mban atë që dorëzoi dekorimet, por të merren vesh me atë që urdhëroi të bëheshin dhe në fshehtësi ato dekorime elktorale.
Por më i fandaksuri i reagimeve lidhur me ato dekorata si “Martir i Demokracisë” pas një çerek shekulli demonkraci, m’u duk reagimi ish-kryetares heroike të Grave revolucionare të Shqipërisë Socialiste e Popullore të dikurshme. (E kam fjalën për Vito Kapon, domethënë). Duket që pleqëria bën të vetën, se ndryshe mund të kujtohej reaguesja që udhëheqësit e saj dhe ajo vetë u ngarkuan si pema e Vitit të Ri me dekorata dhe nuk u zemërua njeri aq sa qe zemëruar ajo në këtë moshë të thyer.
– Mendoni se ky është një pretekst për të larguar vëmendjen nga çështjet e mprehta të ditës, siç është reforma në drejtësi, të cilën Nishani po e kundërshton me të gjitha format?
– A u bë ai dekorim gjysmë i fshehtë për të tërhequr vëmendjen nga Reforma në Drejtësi? Doemos që kush i ka me aq zjarr fjalimet për Reformën dhe me aq tërbim pengimin e saj, do gjejë dhe vjega për të bërë zhurmë me teneqet boshe të dekorimeve alla sultan Hamiti. Sikurse përpiqen si ujku në qamet për të shpurë Reformën pjesë-pjesë e të gjithë bashkë nga Kushtetuesja e në Venecia, nga listat e prokurorëve tek listat e gjyqtarëve, që u kujtuan befas për mbrojtjen heroike të të drejtave të ariut(!) Dhe nuk kujtohen fare që me ato lista po u lehtësojnë punën atyre që do të ngarkohen të bëjnë vetingun…
– Ju realisht besoni se reforma në drejtësi do të bëhet?
– Reforma në Drejtësi është dashur të bëhej që në krye të herës, por atëherë si do të na mbeteshin të pandëshkueshëm të punësuarit tanë në politikë si trashëgimtarë të paprekshëm të diktaturës? Ajo reformë mund të bëhet e mund të zbatohet, vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e kanë seriozisht këtë radhë e jo më me qeshka sikurse e kanë pasur 20 e kusur vjet me punët tona.
– Gjatë ditëve të fundit po bëhet shumë zhurmë lidhur me deklaratat e Ramës në Beograd për çështjen e Kosovës. Cili është mendimi juaj për këtë debat?
– Zhurma që doli nga nëndheu lidhur me deklaratat dinjitoze të kryeministrit Rama në takimin e Beogradit, më duket se është reagim zemërak i strukturave të vjetra e të ndryshkura, që nuk e durojnë dot mëkëmbjen e faktorit shqiptar. Jemi ende në kufij të dy botëve dhe është normale që të kenë të dyja ato botë zërin e tyre…
– Ndërkohë, si padashje, është hapur edhe një “konflikt” me Greqinë lidhur me varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, për ligjin e luftës dhe për çështjen çame. Mos kemi të bëjmë në këtë rast me rizgjim të fantazmave të kaluara dhe sa e vështirë është mbyllja njëherë e mirë e këtyre çështjeve me fqinjin tonë jugor?
– Konflikti, apo më mirë politika konfliktuale me fqinjin tonë jugor, më duket se ushqehet nga fqinji ynë jugor me dru shtogu, sa herë që Greqia ka shqetësime me rropullitë e veta. Është një traditë e njohur tashmë në politikën e jashtme greke që të përpiqet që kusuret e veta t’i transportojë në vatrat e të tjerëve… Ja sikur t’ju bëj dhe unë një pyetje të thjeshtë e jo si të vështirat e tua: Më thoni dot se me cilin fqinj me të cilin ka kufij tokësorë është pa konflikte të stisura Greqia jonë e dy vendeve miq dhe e dy popujve vëllezër?… Ndoshta e ka dhe të trashëguar prej së lashti një psikozë ishullore mikja jonë Greqi, me më shumë tanke e më shumë prodhime, sikundër na kanosi me aq diplomaci, “shoku Susllov” i të majtës ekstreme që ka pushtetin aktualisht në Greqi. Gërdufja e kryediplomatit grek sikur të ishte shefi i shtabit të ushtrisë e jo shefi i diplomacisë, më duket se nxjerr sheshit një megallomani, të ushqyer mbase edhe nga servilizmi i pushtetarëve tanë të tranzicionit. Gjithsesi, tani jemi në kohë të papërshtatshme për kërcënime ushtarake nga diplomatë të ardhur dhe në diplomaci nga ideologjia, që përgjaku shekullin e kaluar. Jemi të dy vendet anëtarë të NATO-s dhe as nuk duhet t’i marrim seriozisht kërcënimet për së thati, që bëhen për nevoja të politikës së brendshme, por as të pranojmë në heshtje përpjekjen e fqinjëve tanë jugorë për t’i fshehur nën tryezë teshat e palara, që na kanë mbetur shuk nga historia e shkuar. Na takon të dyja palëve të shtrohemi në tryezë të hapur për t’i zgjidhur me bisedime të sinqerta të gjitha çështjet që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta, të ndershme e gjithnjë nga pozita të barabarta. Se nuk e kemi zgjedhur vetë të jemi fqinjë. Dhe fqinji është si puna e njeriut të familjes, nuk e zgjedh dot i shkreti njeri as prindin e as vëllain apo motrën e tij. Përgjegjësi ke kur nuk zgjedh mirë mikun. Atëherë le të përpiqemi me përgjegjësi të plotë e jo me kërcënime të papërgjegjshme të jemi dhe miq ,sikundër na ka takuar të jemi fqinjë. Se do të jetë doemos mirë për të dyja palët./Intervistoi Xhevdet Shehu – DITA