Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me burg përjetë dy pronarët e një lokali në Dhërmi që torturuan e vranë kamerierin 28-vjeçar Denis Vyshka.
Altin Ymeri dhe Ersi Ziflaj janë dënuar me burg përjetë, ndërsa kuzhinieri i lokalit që ndihmoi dy pronarët të kryenin masakrimin e të riut miklovan Zymeri u dënuar me 35 vite burg. Ngjarja makabre ndodhi në gusht të vitit 2014 në lokalin “Shija e detit” në Dhërmi, ku 28-vjeçari Vyshka punonte prej 10 vitesh.
Vendimi u dha sot nga gjyqtari Laurent Fuçia. Pronarët e lokalit në Dhërmi e torturuan kamerierin duke i fikur cigaret e ndezura në trup pasi e akuzuan atë se kishte vjedhur 500 mijë lekë të vjetra nga xhiroja e lokalit.
Nga hetimet e kryera, sipas policisë, ka rezultuar se ata kanë ushtruar dhunë ndaj viktimës me pretendimin se u kishte përvetësuar 500 000 lekë, që i përkisnin autorëve.
Mbasi kanë ushtruar dhune deri në vdekje të viktimës në ambientet e lokalit, Miklovan Zymeraj, e ka transportuar trupin e Vyshkajt me një automjet “Ford Fokus” me portobagazh deri në 300 m larg lokalit dhe e ka hedhur.
Sipas raporteve të policisë, viktima fillimisht ishte rrahur me grushte. Më pas ai ishte goditur me mjete të mprehta, thikë ose hanxhar nga pronarët Ervis Zylfaj, 26 vjeç dhe Altin Imeraj, 37 vjeç. Ekspertët kriminalistë të policisë thanë se më parë në rrahje mund të jenë përdorur leva ose këmbë karrigeje. Kjo pasi viktima kishte shenja mavijosje dhe nxirjeje që linin të kuptohej se ndaj atij i ishin dhënë goditje me objekte të tilla.
Në zbardhjen e ngjarjes ndihmoi pastruesja e lokalit, e cila pas vrasjes së të riut ishte mbajtur peng nga pronarët për të mos treguar.