Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për autorin e vjedhjes së çantës me 10 mijë euro marrë një besimtari teksa falej në xhami.
Prokuroria njofton se Tom Ndoja akuzohet për “vjedhje me pasoja të rënda”, pasi nga hetimet rezultoi se, gjatë procesit të faljes në një nga xhamitë e Tiranës, ai i ka vjedhur një besimtari tjetër çantën e dorës, në të cilën gjendeshin 10 mijë euro.
Ndoja ka shfrytëzuar faktin se besimtarët ishin duke kryer ritet fetare dhe ka përfituar nga mirëbesimi ndërmjet tyre, duke vjedhur vlerën e konsiderueshme monetare.
Pas vjedhjes, Ndoja është larguar, ndërkohë që është pikasur dhe është kapur disa ditë më pas nga një tjetër besimtar i xhamisë, i cili më pas ka njoftuar policinë për arrestimin.
Gjatë hetimit dhe në procesin e gjykimit, i pandehuri ka mbajtur qëndrim të dyshimtë. Ai ka deklaruar se ka pasur si qëllim që të vidhte çantën dhe nuk e ka ditur që brenda saj gjendej edhe shuma e parave.
Por kjo nuk ka qenë vepra e parë penale për Ndojën sipas prokurorisë. Ai është dënuar më parë edhe për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe rezulton se ka vjedhur shuma të ndryshme parash, përfshirë vlerat monetare të nënës, tezes dhe personave të tjerë familjarë.