Tre persona janë arrestuar nga policia pasi po transportonin me mjetet e tyre 27 klandestinë me kombësi siriane, irakene dhe sudaneze, të cilët vinin nga një kamp i qytetit të Selanikut dhe kishin kaluar ilegalisht kufirin e gjelbër drejt tokës shqiptare.
L.J, 28 vjeç, banues në fshatin Hudënisht (Pogradec), V.K, 47 vjeç, banues në Elbasan dhe A.Ç, 44 vjeç, banues në fshatin Buçimas (Pogradec) u kapën në afërsi të kryqëzimit të Vërdovës, teksa ishin duke transportuar 27 klandestinët, mes të cilëve edhe 12 fëmijë.
Kanë qenë informacionet konfidenciale ato të cilat bënë të mundur organzimin e operacionit “Vërdova” dhe kapjen e rastit. Tre të arrestuarit u kishin premtuar shtetasve të huaj se do t’i ndihmonin për të shkuar drejt vendeve të BE-së, duke kaluar nëpërmjet territorit shqiptar, kundrejt shumës prej 1200 eurosh për personat e rritur dhe 600 euro për fëmijët. Pas përfundimit të veprimeve, 27 klandestinët janë transportuar drejt Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, në Babrru, ndërsa policia ka sekuestruar 3 automjete.