Kush është drejtori i ri i TVSH, nga Zëri i Popullit te roli si zëdhënës i Ilir Metës
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar zgjodhi sot Thoma Gëllçin me shumicë të cilësuar, Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së. Në mbledhjen e këshillit drejtues, Thoma Gëllçi mori 7 vota dhe Petrit Malaj 4 vota.
Nënkryetari i komisionit të medias, Alfred Peza tha se drejtori i ri i RTSH-së u zgjodh me konsensus. “Thoma Gëllçi mori 7 vota dhe Petrit Malaj 4 vota. Ai u zgjodh me shumicën e cilësuar të votave të anëtarëve të këshillit drejtues të RTSH-së pavarësisht se për atë mjaftonte edhe shumica e thjeshtë e votave. Çka tregoi se ai ka marrë mbështetje edhe nga opozita”
Thoma Gëllçi është një nga gazetarët që spikati në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve ‘90 -të. Ai ka punuar fillimisht si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni”, më pas në gazetën “Zëri i Populli”, të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor. Ai është themelues i gazetës “24 orë”. Po ashtu ai ka punuar në struktura të larta në detyrën e drejtorit të Departamentit të Informacionit gjatë kohës kur ka qene kryeministër z. Ilir Meta.
Drejtori i sapozgjedhur i RTSH-se, Thoma Gëllçi tha për ATSH se “me përmbylljen e procesit te zgjedhjes , hapet një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë e transformimit të këtij institucioni të rëndësishëm. Ai tha se procesi i transformimit do të jetë i shpejtë dhe i gjithanshëm”.
“Në terrenin mediatik shqiptar, Radio Televizioni Publik duhet të dallojë nga një mënyrë e veçantë perceptimi dhe pune. E veçanta e tij është se ky institucion nuk mund te jetë – dhe nuk do të jetë – thjesht një stacion radioteleviz midis shumë të tjerëve qe i shërbejnë publikut me informacion dhe argetim. E veçanta e këtij Radiotelevizioni përcaktohet nga roli i tij si një mekanizëm shoqëror që u prin ndryshimeve pozitive në shoqëri. Në këtë kuptim, të gjitha platformat e tij mediatike (Radio, TV, Ëebsite, lajmet, shfaqjet apo edhe çdo gjë tjetër) do të rikonfigurohen që t’i shërbejnë këtij qëllimi. Po kështu do të rregullohen marrëdhëniet brenda rrjetit të RTSH. Gjithçka brenda programeve do të jetë e integruar dhe kjo do të reflektohet në strukturën administrative që do të përputhet me atë programore”.
Drejtori i ri pritet të fillojë detyrën javën e ardhshme./ATSH/