Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni deklaroi të martën se lista përfundimtare e fituesve të raundit të parë do të dalë në datën 11 shtator, ndërsa studentët do të kenë mundësi të regjistrohen në degën e zgjedhur nga data 13-20 shtator.
Rektori Koni dha një konferencë për shtyp, në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, lidhur me procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit të kandidatëve fitues në programet e Ciklit të Parë të Studimeve në njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, për Vitin Akademik 2016-2017.
“Të gjithë kandidatët që kanë aplikuar kanë në faqet zyrtare të fakulteteve programet dhe sipas programeve të studimit është lista e plotë e renditur sipas pikëve të vlerësuara nga komisioni përkatës. Brenda këtyre ditëve, secili nga kandidatët mund t’i drejtohet fakulteteve nëse ka ndonjë pretendim mbi vlerësimin sipas kritereve që janë të shpallura. Pasi të mbaroj ky proces, në datën 11 shtator del lista përfundimtare e fituesve, e cila ka afatin e parashikuar të regjistrimit nga data 13 deri në datën 20 shtator”, tha rektori Koni.
Ai informoi se regjistrimi bëhet online në portalin e maturës shtetërore dhe fizik me dokumentatat e parashikuara pranë fakulteteve ku ndodhet programi i studimit. “Një maturant mund të ketë dalë fitues në 10 programe dhe tani është momenti të vendosë ku do të regjistrohet, pasi do të regjistrohet vetëm në një program. Kjo do të thotë që maturantët e tjerë që nuk e shohin veten në listën e fituesve duhet të jenë të qetë dhe të shpresojnë, sepse do të ketë zbritje të listës dhe do të krijohet mundësia në raundin e dytë”, tha Koni.
Informacionet e sakta për kuotat e mbetura, sipas tij, do të jepen pas datës 20 shtator, kur fillon raundi i dytë që është identik me të parin dhe ku secili nga kandidatët ka të drejtë të bëjë përsëri aplikimin.